Vendosni fjalën kyçe....

Mbahej prej 3 vitesh në Iran nën akuzat për spiunazh, lirohet studenti amerikan


Lirohet një student amerikan i mbajtur si i burgosur prej 3 vitesh në Iran. Ministri i Jashtëm i Iranit dhe Shtëpia e Bardhë njoftuan që studenti i diplomuar në Universitetin e Princeton, Xiyue Wang, ishte liruar në një proces shkëmbimi. Ai ishte këmbyer me shkencëtarin Massoud Soleimani.

Brian Hook, përfaqësuesi special i SHBA-së për Iranin, e shoqëroi shkencëtarin iranian në Zvicër për të bërë shkëmbimin dhe u kthye me Wang.

Shkëmbimi u zhvillua në Cyrih dhe Wang tani është rrugës për në Landstuhl, në Gjermani.  Atje ai do ekzaminohet nga mjekët.

“Pas më shumë se tre vitesh duke u mbajtur i burgosur në Iran, Xiyue Wang po kthehet në Shtetet e Bashkuara”–  tha Presidenti Trump në një deklaratë të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë.

“Prioriteti më i lartë i Shteteve të Bashkuara është siguria dhe mirëqenia e qytetarëve të saj. Lirimi i amerikanëve të mbajtur si rob është një rëndësi jetike për Administratën time, dhe ne do të vazhdojmë të punojmë shumë për të sjellë në shtëpi të gjithë qytetarët tanë të mbajtur padrejtësisht si robër jashtë shtetit.”– thotë me tej Trump.

Sekretari i Shtetit Mike Pompeo tha se Wang së shpejti do të ribashkohet me gruan dhe djalin e tij.

Wang u dënua me 10 vjet burg nën akuzën se ishte infiltruar në vend për të dërguar materiale konfidenciale jashtë vendit.

Familja e tij dhe Universiteti i Princeton i mohuan me forcë pretendimet. Sipas universitetit, Wang u arrestua ndërsa kryente kërkime mbi dinastinë e Kajar që dikur sundonte Iranin për doktoraturën e tij.

Gruaja e tij, Gua Qu, u gëzua nga lajmi i lirimit.

“Familja jonë është e plotë edhe një herë. Djali ynë Shaofan dhe unë kemi pritur tre vite të gjata për këtë ditë dhe është e vështirë të shprehemi me fjalë se sa të ngazëllyer jemi që do të ribashkohemi me Xiyue. Ne jemi mirënjohës për të gjithë ata që ndihmuan që kjo të ndodhë.”- thotë ajo.

Lirimi i Wang u negociua me ndihmën e Ambasadës Zvicerane në Teheran, që kujdeset për interesat e Amerikës atje pasi Ambasada e SHBA-së është mbyllur që në vitin 1979.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *