Kryetari i PD-së Lulzim Basha e vizitoi kampin e Manzës më 3 dhjetor dhe sot është rikthyer sërish.
Banorët e strehuar në çadra i janë shprehur Bashës se bashkia e qeveria nuk i ka ardhur në ndihmë duke i diferencuar ata në krahasim me banorë të tjerë.
Një prej banorëve, ndërsa po i tregonte çadrën ku po qëndronte tha se aty nuk rrinte as qeni.
“Me këto, hajde shihe por dhe qeni nuk rri. Shihe këtu si është krejt baltë, ku të rri?”- tha banori. “Jo për Zotin as qeni nuk rri, jo robi.”- iu përgjigj Basha.
“Ne nuk na jepet asnjë zgjidhje. Na thanë se do t’ju evakuojmë, por asgjë”, – thotë një tjetër banor.
“Jetoja në Spitallë, më është shkatërru banesa. Kam shkuar ne bashkia në Durrës, asnjë s’ka ardhur fare. Kam ardhur te njerëzit e mi se s’kisha ku të rrija. Me dy kalamaj të vegjël në çadër. Kam shkuar në bashki, do ta verifikojmë më thonë po lër numrin e telefonit. Kanë kaluar 2 javë, as në telefon s’kanë marrë fare.”– thotë një zonjë e shqetësuar.
Kryetari i PD-së, tentoi të komunikojë me Shtabin e Emergjencës, i vendosur në shkollën e Manzës por dera ishte e mbyllur.
“Asnjë dallimi nuk duhet bërë. Termeti njësoj i ka goditur edhe pronarët edhe qiraxhinjtë. Ja ku janë shkollat, të futen aty, nuk mund të vazhdojnë rë rrinë në çadra”-u shpreh zoti Basha, duke kërkuar zgjidhje urgjente.
Disa nga banorët u shprehën të revoltuar se kryeministri Edi Rama nuk i kishte takuar dhe kishte shkuar vetëm tek shkolla e fshatit aty pranë.
“Erdhi si hajdut dhe u fut atje të shkolla. Asgjë nuk na pa. Ka ardhë për të na parë apo për të shkolla është në rregull. Nuk erdhi fare në kamp”.- tha njëri prej banorëve.