Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, udhëtoi të hënën për në Hagë, për t’u intervistuar në Prokurorinë e Posaçme që trajton pretendimet për krime lufte dhe të pasluftës në Kosovë.
Zoti Veseli para nisjes tha se Gjykata e Posaçme është sfidë përballë siç tha krimeve makabre serbe dhe në të njëjtën kohë për të dëshmjuar pastërtinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, raporton Zëri i Amerikës.
“Çdo luftëtar i lirisë është krenar që ka pasur fatin t’i shërbej atdheut të vet. Po ashtu edhe unë jam shumë krenar, e falënderoj Zotin për këtë dhe dua ta them, ta konfirmoj edhe njëherë, me asnjë gjë nuk e ndërroj asnjë pjesë të asaj jete time krenare. Historia e ushtrisë Çlirimtare e Kosovës është historia e së drejtës së popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi”, tha zoti Veseli.
Kadri Veseli një nga udhëheqësit e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish shefi i Shërbimit Informativ të Kosovës, është një nga zyrtarët më të lartë të thirrur për t’u paraqitur në Hagë, ku deri tash janë paraqitur mbi 100 ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Më 19 korrik, atje qe thirrur edhe ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili dha dorëheqje duke bërë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare që u mbajtën më 6 tetor.
Gjykata e Posaçme e cila me emrin dhomat e specializuara vepron në Hagë, u miratua në fillim të muajit gusht të vitit 2015 nga parlamenti i Kosovës.
Ideja për themelimin e saj pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Martty, për përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë.
Hetimet sikurse e dhe ngritja e gjykatës kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999, që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.