Prindërit e fëmijëve që ndjekin mësimin në shkollën “Emin Duraku”, kanë firmosur një peticion drejtuar Ministrisë së Arsimit, përmes të cilit shprehen se nuk do i dërgojnë fëmijët në këtë shkollë derisa t’u vihet në dispozicion certifikata e sigurisë për gjendjen fizike të godinës së shkollës.
Në këtë peticion, prindërit shprehen se drejtoresha e shkollës iu ka thënë se nuk e ka dokumentin e ekspertimit të godinës.
“BalkanWeb” shkruan se prindërve nuk u është dhënë një akt ekspertizë e dytë, që të vërtetojë se rreziku për godinën e shkollës ka kaluar.
Atyre iu ka mbërritur vetëm një njoftim nga drejtoria e shkollës ku iu thuhet: “Të dashur prindër,
Shqetësimi juaj këto kohë ka qenë edhe shqetësimi ynë, pasi vetëm së bashku ne mund të kapërcejmë çdo vështirësi, duke krijuar për fëmijën tuaj kushte dhe mjedise të sigurta për vazhdimin e procesit mësimor.
Nesër fëmija juaj do të nisë mësimin në shkollën ‘Emin Duraku ‘.
Atje do të gjejë një staf të përkushtuar, me mësues, psikologë, oficerë sigurie, të cilët do të kujdesen që fëmija juaj të harrojë pamjet tronditëse të fatkeqësisë që sapo kaluam, duke iu rikthyer ritmit të zakonshëm të të nxënit.
Atje do të gjejë gjithashtu miqtë dhe shokët e vet, do të gjejë ngrohtësinë e mësuesve, me të cilët do të vazhdojë të ngjitë…”.
Mirëpo në procesverbalin e Institutit të Ndërtimit të kryer më 3 dhjetor thuhet se shkolla ka dëmtime në struktura dhe për këtë arsye duhet pezulluar aktiviteti.
51 prindër kanë firmosur peticionin drejtuar ministres së Arsimit Besa Shahini. Aktualisht në shkollën ‘Emin Duraku’ është mbyllur vetëm godina ku zhvillonin mësim klasat e fillore, dhe mësimi është vendosur të kryhet te pjesa më e sigurt e godinës. Mësimi do bëhet atje me turne.