Vendosni fjalën kyçe....

Rusia përjashtohet nga garat sportive, humb dy Olimpiada dhe Botërorin e 2022-it


Rusia është ndaluar për katër vjet nga të gjitha kompeticionet kryesore sportive nga Agjensia Botërore e Anti-Dopingut (Wada).

Kjo do të thotë që flamuri dhe himni i Rusisë nuk do të lejohen në “Lojërat Olimpike 2020” që organizohen në Tokio apo as në “Kampionatin Botëror të Futbollit 2022” që do të zhvillohet në Katar.

Megjithatë, atletët që mund të dëshmojnë se nuk janë të prekur nga skandali i dopingut, do të jenë në gjendje të garojnë nën një flamur neutral.

Komiteti ekzekutiv i Wada-s mori sot vendimin unanim në një takim në Lozanë të Zvicrës. Ky vendim vjen pasi Agjensia e Rusisë Anti Doping (Rusada) u shpall fajtore për manipulimin e të dhënave laboratorike të dorëzuara në janar 2019.

Siç shkruan BBC, Rusada ka 21 ditë që të apelojë kundër këtij vendimi. Nëse e bën këtë, ankesa do t’i referohet Gjykatës së Arbitrazhit për Sport (Cas).

Plot 168 atletë rusë garuan nën një flamur asnjanës në Lojërat Olimpike Dimërore 2018 në Pyeongchang, pasi vendi u ndalua pas Lojërave të vitit 2014, të mbajtura në Soçi. Atletët rusë fituan 33 medalje në Soçi, 13 prej të cilave ishin të arta. Rusia është ndaluar të konkurrojë si komb në atletikë që nga viti 2015.

Pavarësisht këtij vendimi, Rusinë do mund ta shohim të garojë në Euro 2020, pasi UEFA nuk përcaktohet si një “organizatë e madhe ngjarjesh” në lidhje me vendimet për shkeljet e antidopingut.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *