Vendosni fjalën kyçe....

Shkon në 5 numri i të vdekurve nga shpërthimi i vullkanit në Zelandën e Re


Ka shkuar në pesë numri i njerëzve që kanë humbur jetën pas shpërthimit të vullkanit të Ishullit të Bardhë, në Zelandën e Re.

BBC shkruan se njëzet e tre persona janë shpëtuar, por është e paqartë ende se sa njerëz kanë mbetur atje. Policia thotë se ekipet e shpëtimit nuk janë në gjendje të hyjnë në ishull për shkak të rrezikut të shpërthimeve të mëtejshme.

Ishulli i Bardhë, i quajtur edhe Whakaari, është vullkani më aktiv i vendit.

Pavarësisht kësaj, ishulli është një destinacion turistik që vizitohet vazhdimisht nga turistë. Sipas policisë, më pak se 50 njerëz ndodheshin në ishull kur shpërtheu vullkani.

“Disa nga të lënduarit janë në një gjendje kritike”, njoftoi Radio Zelanda e Re. Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern tha: “Unë e di se ka një shqetësim dhe ankth të madh për ata që kanë patur njerëzit e tyre të dashur në ishull në atë kohë, dhe unë mund t’i siguroj ata që policia po bën gjithçka që mundet.”

Ardern tha se hiri dhe tymi po pengonte përpjekjet e shpëtuesve për të arritur në vendngjarje.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *