Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka reaguar pas kërkesës së Prokurorisë për të dënuar me burg ish deputetin Ervin Salianji, si i pandehur në çështjen e njohur si “Babale”.
Në facebook, Kryemadhi shkruan se sipas saj e gjithë është e orkestruar politikisht nga kryeministri Rama, ndërsa thekson se pretenca e sotme ndaj Salianjit dhe gazetarit Jetmir Olldashi, “i tregon qartë të gjithë shqiptarëve që demokracia në vend është në një rrezik eminent”.
Kërkesën për Azil të Agron Tufës, prishjen më datë 8 dhjetor të godinës nr.15 në Qytetin Studenti, si dhe paraqitjen për miratim në Kuvend e Paketës së Ndryshimeve Ligjore, Kryemadhi i numëron si akte që “po e rikthejnë Shqipërinë në vitet e errëta të diktaturës”.
Postimi i plotë:
Ky dhjetor i 29-të i demokracisë në Shqipëri, në vend që të na gjente me një shtet të konsoliduar të së drejtës dhe me demokraci funksionale, i cili do të ishte i denjë për familjen evropiane, fatkeqësisht po shohim se po rrëshqet drejt një sistemi autokratik.
Pretenca e sotme e Edi Ramës, si autori real i saj, i lexuar nga dyshja e prokurorëve të telekomanduar Kolë Hysenaj dhe Genci Qana, ndaj opozitarit Ervin Salianjit dhe gazetarit Jetmir Olldashi, po i tregon qartë të gjithë shqiptarëve që demokracia në vend është në një rrezik eminent.
Ky sulm i orkestruar politikisht duke përdorur gjithashtu edhe sistemin e drejtësisë, prokurorë dhe gjyqtarë, të cilët nën frikën e vettingut janë gati që të bardhën ta bëjnë të zezë, u parapri edhe nga ngjarje të tjera po kaq të rrezikshme në kurriz të demokracisë sonë të brishtë.
Kërkesa për Azil e drejtorit ekzekutiv të Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave te Komunizmit z. Agron Tufa pas kërcënimeve të marra për shkak të punës së tij, prishja e qëllimtë, pikërisht në datë 8 dhjetor e godinës nr.15 në Qytetin Studenti, që mbart simbolin e revoltës studentore për demokraci si edhe paraqitja për miratim në Kuvend e Paketës së Ndryshimeve Ligjore për nënshtrimin e plotë të medias janë akte, të cilat po e rikthejnë Shqipërinë në vitet e errta të diktaturës.
Nga një qeveri e ardhur në pushtet nga votat e blera dhe të rrëmbyera në bashkëpunim me bandat e krimit të organizuar dhe paratë e oligarkëve të PPP nuk mund të presësh as demokraci, as shtet të së drejtës, as zhvillim ekonomik, as integrim evropian.
Opozita ka mision të saj parësor dhe kombëtar mbrojtjen e demokracisë, mbrojtjen e fjalës se lirë dhe medias, mbrojtjen e votës së lirë. Asgjë nuk është më e shtrenjtë dhe më me vlerë se liria. Opozita së bashku me qytetarët shqiptarë nuk do rreshtin së luftuari për një demokraci reale dhe funksionale.
Sot pas 29 vitesh, fatkeqësisht, po i rikthehemi me forcë po të njëjtave thirrje, të cilat ushtuan nga studentët: “Poshtë diktatura” dhe “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”.