Një shkëmbim zjarri intensiv zgjati me orë të tëra në Jersey City, New Jersey, ndërsa dy agresorë të veshur me të zeza qëlluan me armë duke vrarë një detektiv policie dhe tre civilë.
Të dyshuarit u vranë nga shkëmbimi i zjarrit me policinë. Burime policore thanë për ‘NBC New York’ dhe ‘NJ.com’ se detektivi Joseph Seals, i cili po zhvillonte një hetim për vrasje, iu afrua dy personave që dukeshin të dyshimtë. Ata hapën zjarr, duke e plagosur për vdekje.
Efektivi 40-vjeçar dhe babai i pesë fëmijëve u raportua se u qëllua në pjesën e pasme të kokës dhe më vonë vdiq nga plagët në spital.
Pasi vranë Seals, të dy të dyshuarit rrëmbyen një furgon dhe u futën në Supermarketin ‘JC Kosher’. Të veshur me të zeza dhe të armatosur me armë automatike, ata filluan të qëllonin klientët.
Skuadrat e policisë dhe ekipet ‘SWAT’ u dërguan në vendngjarje, duke shkëmbyer zjarr me të dyshuarit.
Beteja e ashpër me armë zgjati me orë të tëra dhe lagjia u shndërrua në një zonë lufte.
Pasi beteja zgjati disa orë, ekipet ‘SWAT’ hynë në supermarket dhe gjetën pesë trupa brenda, tre civilë dhe dy të dyshuar të armatosur.