Vendosni fjalën kyçe....

“Gazetari Jetmir Olldashi po dënohet se zbuloi vëllain e Xhafajt, PD-ja do anulojë projektligjet e Ramës për portalet” – Vokshi


Demokratja Albana Vokshi ka denoncuar projekligjet e qeverisë për mediat. Ajo thekson se këto projektligje cënojnë rëndë informimin publik dhe përkqeësojnë punën e gazetarëve.

Vokshi shkruan se media italiane i ka kushtuar Shqipërisë një emision lidhur me çështjen e shumëdebatuar në vend, atë të rrezikut të fjalës së lirë.

‘#Rai3, emisionin e sotëm #FuoriTG, ia ka kushtuar përsëri Shqipërisë, këtë herë rrezikut të lirisë së fjalës dhe lirisë së shtypit prej nismave qeveritare.

#Albania: Boçhe Cucite”, “#Shqipëria: Gojët e qepura” titullohet emisioni i sotëm, që trajton gjatë çështjen e shumëdebatuar ditët e fundit në Shqipëri, atë të rrezikut të lirisë së fjalës në një skenar mediatik të kushtëzuar nga raportet gjithnjë e më të ngushta të linjës editoriale dhe pushtetit politik.

Në këtë skenar, projektligjet e qeverisë që cënojnë rëndë informimin e publikut dhe përkeqësojnë punën e gazetarëve do të kenë efekt domino në demokracitë e brishta ballkanike.’ – shkruan Vokshi në Facebook.

Më tej, ish-deputetja e PD-së, shkruan se edhe në Tiranë, OSBE-ja, Këshilli i Europës, BE-ja e UNDP-ja kanë kundërshtuar projektligjet e qeverisë për mediat që shkelin standartet ndërkombëtare dhe të drejtat kushtetuese të fjalës së lirë.

Vokshi thekson se këto projektligje e vënë median online totalisht nën kontrollin e qeverisë.

‘Në Tiranë prej disa ditësh, OSBE, Këshilli i Evropës, Bashkimi Europian dhe UNDP kanë kundërshtuar draftet e ligjeve të censurës mediatike. Nga Leipzig, Vjenë, Bruksel, Berlin, 7 organizata mediatike ndërkombëtare, së bashku me 15 organizata kombëtare, prej muajsh i kanë kërkuar Kryeministrit Rama të tërheqë 2 projektligjet që shkelin standartet ndërkombëtare dhe të drejtat kushtetuese të lirisë së medias, lirisë së fjalës dhe të së drejtës për informim. Dy projektligjet e propozuara nga Rama, e vendosin edhe median online totalisht në kontrollin e qeverisë.’ – shton më tej demokratja.

Në fund, Vokshi thekson se kryeministri Rama po rikthen gjyqet politike në përpjekje për të kontrolluar çdo zë kritik.

Ajo vijon se rasti i fundit është ai i gazetarit Jetmir Olldashi, që është kërkuar të dënohet sepse zbuloi përfshirjen e vëllait të ish-ministrit Xhafaj në trafikun e drogës.

‘Edi Rama, në përpjekje për të kontrolluar çdo zë kritik, po rikthen gjyqet politike si një presion tjetër dhe rrezik për lirine e medias. I tillë është edhe rasti i Jetmir Olldashit, i cili është kërkuar të dënohet vetëm sepse zbuloi përfshirjen në trafikun e drogës të vëllait të Ministrit të Brendshëm. 29 vjet më parë, ne u rreshtuam në krahun e lirisë së fjalës. Dhe nuk kemi ndërmend të heqim dorë prej saj. Rruga e vetme për Edi Ramën është tërheqja e projektligjeve antidemorkatike, antikushtetuese, që mbyllin gojën e medias online. Nëse ai do t’i shkojë deri në fund rrugës së vet të rrezikshme, që cënon më tej imazhin e Shqipërisë dhe dëmton pozicionin e vendit në OSBE, PD do ta anullojë këtë ligj antidemokratik menjëhrë sapo të marrë besimin për qeverisjen e vendit.’ – mbyll ajo statusin.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *