Kryeministri Edi Rama është nervozuar sot me një banore në Laç, e cila po i tregonte situatën e saj dhe të prindërve të saj pas tërmetit.
Ajo në një moment tha se po punon për “copën e bukës” në Zvicër, shprehje e cila mesa duket nuk i ka pëlqyer kryeministrit. Ai tha se asnjë shqiptar nuk vuan për “copën e bukës”.
BISEDA:
Banorja: Kam unë një merak. Ne kemi shtëpi private, janë prishur dhe kanë ardhur i kanë parë e kanë thënë se nuk janë të banueshme. Ama deri tani nuk ka pyetur më njeri. Unë e kam babin 68-vjeç, ta dimë të rrimë a mos të rrimë. Ne s;po presim për ndihma me ushqime, as për batanije. Për bukë unë nuk jam duke vdek. Unë kam humbur punën në Zvicër e kam ardhur këtu se i kam dy pleqtë brenda. Të paktën ta dimë ça do bëhet me neve. Më thuaj, një vit do presësh, një vit do pres unë. Unë as nuk jam në çadër, as nuk jam në shtëpi.
Rama: Ku je?
Banorja: Është muri duke rënë. Sa brenda jashtë kemi ngelur.
Rama: Nëse është shtëpia e pabanueshme mos u fut në shtëpi.
Banorja: Ku të rri?
Rama: Në çadër
Banorja: Babi im 68-vjeç në çadër nuk mundet të rrijë, me 24 tensionin.
Rama: Si babi jot ka plot
Banorja: Ka plot, normal.
Rama: Në çadër dimërore s’ka problem as për 68-vjeç, apo për 168. Sepse janë me energji brenda, me televizor. Kështu që babi me ty në çdër deri kur të ndërtohet shtëpia. Do e ketë shtëpinë babi më mirë se ti në Zvicër.
Banorja: S’kam shtëpi në Zvicër unë, se unë me 3 mujorsha. Po punojmë për copën e bukës si atje, si këtu.
Rama: Të lutem, po deshe këtë pjesën ‘punoj për copën e bukës’ mos ma përmend. S’e pranoj. Se shqiptarët as në Mesjetë nuk kanë vuajtur për copën e bukës. Këtë bukë, bukë, bukë mos ma përmend.
Banorja: Po për ça po punojmë? Po vëmë pasuri ne me 200 mijë lekë rrogë?
Rama: Nuk po të flas për pasuri. Shife si je
Banorja: Si jam?
Rama: Ata që janë për copë të bukës i ke parë si janë.
Banorja: Kush punon e fiton copën e bukës dhe vishet. Unë punoj 14 orë në ditë për këto që kam.
Rama: Shumë mirë, s’ka rëndësi kjo. Këtë fjalë copa buke mos ma përmend më se pla. Kjo s’është copë e bukës, është çështje standardesh.
Pas këtij debati, kryeministri e ofendoi banoren duke i thënë se kishte mbetur e pamartuar për shkak se fliste shumë.