Vendosni fjalën kyçe....

Basha me banorët e Plazhit në Durrës: Të transferohen fondet te qytetarët, Dako duhet të shkojë në burg


Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha është kthyer sërish në zonë e Plazhit në Durrës ku ka takuar nga afër banorët e prekur nga tërmeti. Këta të fundit i janë ankuar Bashës se qeveria i ka braktisur dhe s’u ka dhënë asnjë ndihmë.

“Banesa ime është e pabanueshme, por askush nuk ka ardhur prej 10 ditësh të na thotë çfarë të bëjmë”- tha një grua e moshuar. Ndërkohë, të njëjtin shqetësim kishin dhe disa banorë të tjerë, të cilët ende nuk kanë marrë asnjë përgjigje për banesat e tyre.

“Pronari i firmës sillet rreth e rrotull, dhe nuk na thotë asnjë fjalë, ndërsa lekët na i ka marrë një më një.” -thotë dikush tjetër. Ndërkohë, lideri i PD-së tha se tashmë duhet të transferohen fondet, pasi nuk ka gjendje emergjence pa para.

Kjo situatë e pasigurisë është e papranueshme, sepse po hyjmë në javën e tretë. Duhet të ketë qartësi se çfarë po ndodh dhe qartësia fillon me vlerësimin e çdo banese. Pa vlerësuar banesat, ju nuk mund të keni qartësi. Tani këta duhet të transferojnë fondet, se s’ka gjendje emergjence pa fonde. Të marrin ato 150 milionë dollarë të oligarkëve dhe t’i kalojnë në dispozicion të situatës së tërmetit. Shumë pak familje mund të jenë në gjendje të bëjnë diçka vetë, të tjerëve ky tërmet u ka marrë gjithçka. u ka marrë pasurinë e një jete. Shteti është i shqiptarëve. Fondet janë të shqiptarëve, buxheti është i shqiptarëve, nuk është as i oligarkëve, nuk është as i Edi Ramës” -theksoi kreu i opozitës.

Basha u shpjegoi banorëve se kush e ka përgjegjësinë për cilësinë e dobët të pallateve të ngritura atje.

Përgjegjësia fillon me ata që kanë përgjegjësi për ndërtimet dhe liçensimin e ndërtimeve, që është shteti. Këtu në Durrës kemi edhe një veçori se në 99% të pallateve, ai që ka firmosur për këto leje, ka sjellë edhe betonin, në konflikt interesi, Vangjush Dako. Pasi mbaron gjithçka, kolaudohet dhe prapë pushteti vendor, bashkia, ka për detyrë të kolaudojë që gjithçka është bërë në rregull. Përgjegjësia fillon dhe mbaron me shtetin. Ç’është ajo shprehje “do t’i bëj unë letrat”. Çfarë letrash do të bëjë ai? Ai duhet të shkojë në burg për këto gjëra.” -tha kryetari i PD.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *