Drejtoria Rajonale e AKU-së në Vlorë ka bllokuar një sasi prej rreth 2 tonësh me mish pule i infektuar me salmonelë.
Në njoftim thuhet se ngarkesa me mish vinte nga Polonia dhe pas analizave të kryera ka rezultuar se kishte prani të salmonelës.
Njoftimi i plotë i AKU-së
Drejtoria Rajonale e AKU Vlorë, pas marrjes së informacionit nga sistemi RASFF (Sistemi i informimit të shpejtë për ushqim dhe ushqim për kafshë), nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme për praninë e Salmonella Enterica Ser.
Enteritidis në një ngarkesë me produkt “mish pule” me origjinë nga Polonia, kreu menjëherë kontrollin në subjektin me aktivitet “Tregtimin e produkteve dhe nënprodukteve të qumështit dhe tregtimin e produkteve dhe nënprodukteve të mishit”.
Në subjekt ka mbërritur ngarkesa me produktin “Mish pule” në sasinë prej 2130 kg i papërpunuar, i paketuar në kuti kartoni 10 kg dhe i ngrirë në temperaturë -18 °c, i cili pas kryerjes së analizave në momentin e nisjes për në Republikën e Shqipërisë, rezultoi me prezencë të Salmonella Enterica Ser. Enteritidis.
Referuar gjetjeve të ardhura nga inspektimi i kryer pas njoftimit të ardhur nga sistemi RASFF, trupa inspektuese kreu procedurën e bllokimit të produktit deri në marrjen e masave për asgjësimin e tij.