Vendosni fjalën kyçe....

Kompania gjermane shpërfill kërcënimin amerikan, zgjedh Huawei-n për rrjetin 5G


Një nga kompanitë kryesore gjermane të telefonisë, Telefonica Deutschland, i ka kërkuar Huawei-t dhe Nokia-s që ta ndihmojnë në krijimin e rrjetit kombëtar 5G, duke ‘injoruar’ presionin e SHBA-së për të bojkotuar firmën kineze.

‘Telefonica Deutschland planifikon të mbështetet në partnerët e dëshmuar strategjikë, Nokia dhe Huawei në rrjetin e saj të qasjes 5G,’ tha kompania në një deklaratë. Ajo shtoi se dy kompanitë do të duhet të jenë në përputhje me kërkesat e sigurisë, të cilat do të përcaktohen nga rregullatorët gjermanë.

Vendimi vjen pasi Uashingtoni pretendon se Huawei paraqet një rrezik sigurie dhe mund të përdoret nga qeveria kineze për spiunim, një akuzë që kompania me qendër në Shenzhen e ka mohuar në mënyrë të përsëritur. Shtetet e Bashkuara e kanë futur kompaninë kineze në listën e zezë dhe aktualisht po bëjnë presion ndaj aleatëve të saj evropianë për të bërë të njëjtën gjë.

Ndërsa ‘Telefonica Deutschland’ po vë bast te Huawei, parlamenti gjerman po kërkon të vendosë një mbikëqyrje shtesë parlamentare mbi operacionet e kompanisë. Berlini gjithashtu mund të forcojë udhëzimet e sigurisë kur bëhet fjalë për rrjetin 5G, duke e bërë potencialisht pajisjen nga shitësit, subjekt të certifikimit.

Më parë, qeveria gjermane mbrojti vendimin për të lejuar ‘Huawei’-n që të hyjë në tregun e saj, duke thënë se nuk do e përjashtonte Huawei-n nga pjesa e rrjeteve 5G.

Dega e Telefonica në Spanjë që operon nën markën O2 në Gjermani planifikon të nisë rrjetin super të shpejtë në vitin 2020. Ai do të mbulojë Berlinin, Hamburgun, Mynihun, Këlnin dhe Frankfurtin deri në fund të vitit 2021. Në fazën tjetër infrastruktura 5G do shtrihet në 30 qytete gjermane me një popullsi totale prej 16 milionë banorësh deri në fund të vitit 2022.

Javën e kaluar, Portugalia u bë vendi i fundit që kundërshtoi paralajmërimet e SHBA-së, pasi njoftoi se nuk do të ndalojë Huawei-n të ndërtojë rrjete 5G.

Në fillim të këtij viti, Spanja nisi shërbimet e saj të para tregtare 5G në vend duke përdorur pajisjet Huawei. Operatori kryesor zviceran Sunrise gjithashtu hodhi një rrjet tregtar tredimensional 5G në partneritet me Huawei-n.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *