Vendosni fjalën kyçe....

Rusia shpall “non grata” dy diplomatë gjermanë, Moska i përgjigjet Berlinit


Moska ka vendosur të dëbojë dy diplomatë gjermanë që punojnë në ambasadën në Rusi, njoftoi Ministria e Jashtme të enjten. Aksioni ishte parashikuar pasi një veprim i ngjashëm u bë nga Berlini javën e kaluar.

Gjermania shpalli dy diplomat rusë që shërbenin në Ambasadën Ruse ‘persona non grata’ për mungesë bashkëpunimi me një hetim penal gjerman. Mungesa e bashkëpunimit, beson Berlini, tregon se Moska, ose autoritetet e Republikës së Çeçenisë, mund të kenë pasur dorë në të.

Një burrë 40 vjeç u qëllua për vdekje në Berlin në gusht. Media gjermane e identifikoi viktimën si Zelimkhan Khangoshvili, një ish-komandant që luftoi në anën e çeçenëve gjatë luftërave mes Rusisë e Çeçenisë.

Duke cituar miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij, RFE/RL raportoi se personi drejtoi dhjetëra luftëtarë dhe luftoi së bashku me ish-liderin çeçen, Shamil Basayev, i cili organizoi sulme të shumta terroriste mbi ushtarët dhe civilët rusë. Basayev u vra nga forcat ruse të sigurisë në vitin 2006.

Rreth asaj kohe, Khangoshvili thuhet se u kthye në Gjeorgji. Ai u arratis në Gjermani në vitin 2015, pasi raportohet se i mbijetoi një atentati në Tbilisi.

Moska mohon çdo lidhje me krimin. Presidenti Putin tha se burri ishte një bandit dhe dyshohet se ishte ideatori i një sulmi me bombë në Metronë e Moskës.

‘Nuk e di se çfarë i ndodhi. Ai ishte pjesë e një ambienti banditësh, gjithçka mund të ndodhë atje,’ tha presidenti rus.

Më herët të enjten, ambasadori gjerman në Moskë, Geza Andreas von Geyr, u thirr nga Ministria e Jashtme ruse për t’u njoftuar për përgjigjen ndaj masës së Berlinit. Ai nuk pranoi të fliste me gazetarët pas vizitës, duke u thënë atyre të prisnin deklaratat zyrtare.

Deklarata e ministrisë nuk i identifikoi diplomatët që janë  shpallur non grata, por thanë se ata kanë një javë për të lënë vendin.

Ministria e Jashtme e Gjermanisë tha se i vinte keq për lëvizjen e Rusisë pasi beson se ishte e pajustifikuar dhe po dërgon ‘një sinjal të gabuar’.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *