Gazetarë, aktivistë të shoqërisë civile si dhe disa përfaqësues të politikës janë mbledhur sëbashku sot në një takim, për të vendosur se si do të organizohen për të ndalur censurën ndaj medias. Bëhet fjalë për paketën anti-shpifje që kërkon të miratojë kryeministri Edi Rama.
Pas kësaj tryeze, gazetarët do të dalin me një deklaratë të përbashkët, përmes së cilës do i kërkojnë Kuvendit kthimin pas të dy projektligjeve që janë pjesë e paketës. Kjo deklaratë do të bëhet publike më vonë gjatë ditës. Por për çfarë ranë kryesisht dakord gazetarët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile?
Në këtë tryezë u vendos kryesisht për tre gjëra. Së pari, të bëhet një plan konkret dhe i detajuar se si do të procedohet me këtë nismë kundër projektigjit të ri për mediat online dhe deklarata e përbashkët që do publikohet gjatë ditës.
Së dyti u diskutua lidhur me protestën e paralajmëruar në datën 19 dhjetor, që mesa duket pas këtij diskutimi planet kanë ndryshuar. Protesta mund të mbahet 3 ditë rresht para kësaj date. Kjo për shkak se me datë 19 të këtij muaji, projektligji diskutohet në Kuvend dhe qëllimi është që kjo gjë të pengohet më parë. (Nëse projektligji kalon në Kuvend, Partia Socialiste i ka votat dhe mund ta miratojë pa problem.)
Së treti, u vendos jo vetëm për protesta fizike por edhe në formën online.
Më poshtë keni disa nga deklaratat që u bënë sot në këtë tryezë, ku nuk munguan as debatet.
Ylli Rakipi: Ky është një urdhër administrativ, ju që jeni të rinj nuk e kuptoni por ne që jemi në kohën e Hoxhës kishim urdhrin administrativ. E lëshonin urdhrin këta, AKEPI, atëhere mund të kishte një emër tjetër – AKAPI, nuk e mbaj mend unë… AKEPI ose AMA merrte urdhrin administrativ dhe merreshin të gjitha vendimet e shtetit të diktaturës, e njëjta gjë tani. Ky është një ligj fashist i thashë unë pardje zonjës dhe më falni se unë do të largohem drejt gjyqit. Më falni.
Mark Marku: Me këtë logjikë ne duhet të kishim pranuar të kishim shkuar aty të përmirësonim ligjin? Se ne po shndërrohemi këtu në korrektues dhe ne mund ta bënim këtë dhe të pranonim fare mirë lojën e konsulencave ligjore. Por ne e kemi refuzuar këtë, ne kemi dalë në një pozicion tjetër, kemi dalë në përballje. Ne kemi refuzuar me vetëdije që ne të bëhemi pjesë e atij procesi, gjasme të rregullimit të ligjit, sepse ne nuk kemi patur besim dhe kemi qenë të bindur që do bëheshim thjesht fasadë. Kështu nuk ka nevojë që ne të dalim tani kaq të moderuar. Ne të qajmë hallin se jemi të ashpër me qeverinë që po kërkon të na fusë në burg ose të na gjobisë sepse ne mendojmë. Më duket pak taktikë burokratike për të mos u deklaruar.
Alfred Lela: Unë kam përshtypjen se ne jemi mbledhur këtu në një formë proteste. Kjo është ajo që mendoj se po bëjmë, ne po protestojmë dhe teksti duhet të jetë i një note proteste dhe duhet t’i përmbahemi pak kësaj dhe duhet të kemi komunikimin me një audiencë që shkon përtej Kuvendit.
Aranita Brahaj: Për mendimin tim më mirë sesa të takojmë ambasadorët, të bëjmë një deklaratë në anglisht ku themi se ku jemi kundër kufizimit të të drejtave të njeriut dhe ku jemi kundër asaj kur kemi shkelje ligjore, ose një problem me të drejtat kushtetuese si aspekt teknik dhe të mos themi metafora. Se ka mjete të tjera për metafora, psh në një slogan.
Duhet t’i përgjigjemi dhe me një gjuhë teknike. Qëndrimi im është pro protestave fizike, pro protestave online. T’ju bëjmë thirrje të gjithëve sa munden, njerëz me influencë ta skuqin, ta nxijnë ose ta zbardhin Facebook me një gjë që është slogani ynë kundër paketës antishpifje, që nuk është një paketë antishpifje sepse shpifja s’ka nevojë për gjykim administrativ, kemi nevojë për gjykim gjyqësor.
Aleksandër Çipa: Unë jam dakord që ne t’i përdorim të gjitha format e protestës, dhe ne u bëjmë thirrje dhe mediave që të shprehen në të gjitha format, gjithë qëllimi duhet të jetë që reagimi jonë të vijë kreshendo deri në datën 19. Ne lutemi që këta ta heqin përpara se ta fusin në Kuvend. Sepse po bëmë protestë me 19 dhe ata e kanë futur në rendin e ditës, ata i kanë votat në shumicë për ta kaluar. Problemi është që të rrisim presionin, unë jam dakord me të gjitha këto pikat e propozuara, përjashto rendin, sepse ky takimi me ambasadorët mund të bëhet qysh nesër. Se s’ka kuptim të lihet me 19. Ne nuk duhet t’ju lëmë kohë në këtë gjë, se po i lamë kohë, ç’kuptim ka pastaj. Dhe e treta, nënkupton të gjitha format e reagimit dhe protestën mund të mos e lëmë me datë 19, mund ta bëjmë 3 ditë rresht. Të jeni të sigurt për gjëra të tilla ne mblidhemi shumë, për pagat tona të pamarra ne nuk mblidhemi.
Mark Marku: Mua më pëlqen ideja e zonjës, të përfshijmë dhe shoqërinë civile, sepse nuk është vetëm çështje e gazetarëve. Është e jona kryesisht. E para duhet të krijojmë një grup, të bëhet një planveprimi konkret dhe më pëlqeu ideja që mos ta lëmë protestën me 19, por 3 ditë. E dyta të krijohet një grup për ambasadat, të krijohet një grup negociimi. T’i drejtohemi të gjithë ambasadave me kërkesa për takime. Të zgjidhet një grup se të gjithë s’mund të shkojmë.
Në tryezë pati dhe një debat mes gazetarit Gjergj Erebara dhe ish-deputetes Albana Vokshi. Në momentin kur Vokshi mori fjalën, akoma pa nxjerrë nga goja fjalët e para, Erebara ndërhyri dhe i kërkoj asaj të mos jepte asnjë mendim por vetëm të dëgjonte.
DEBATI
Gjergj Erebara: Jeni ftuar në rolin e vëzhguesve dhe do doja mirëkuptimin tuaj që kjo të mbetet çështje diskutimi mes gazetarëve dhe aktivistëve për të drejtat e njeriut dhe të mos kalonte në nivelin politik.
Albana Vokshi: Pra juve nuk ju intereson fare qëndrimi i opozitës se çfarë do bëjë ajo kur të vijë në pushtet? E para unë nuk jam ftuar si vëzhguese, kam pasur 3 telefonata, 3 ftesa. Kam thënë do vij do jap vetëm qëndrimin zyrtar të Partisë Demokratike, që ju të jeni të bindur se cilët janë hapat dhe juve gazetarët, shoqatat… më bëni përgjegjës të gjithë nesër për një deklaratë publike që unë bëj sot. Unë marr përsipër atë që PD do të bëjë ditën e parë që do vijë në pushtet me këto dy ligje. Prandaj jemi në këtë situatë, sepse ju s’bini dakord me njëri-tjetrin.
Gjergj Erebara: Në një diskurs publik opozita i ka të gjitha mundësitë për të shprehur qëndrimin e vet, në të gjitha mjetet e mundshme, përfshirë edhe këtë tryezë.
Por diskutimi mbetet prap te fakti se kjo është tryezë e gazetarëve për lirinë e shprehjes, dhe kjo mbetet një lëvizje civile, që çdo parti politike është e mirëpritur që ta mbështesë. Kështu që do ju lutesha të mbetet kjo.
Albana Vokshi: Patjetër, protagonizmi ju mbetet juve.
Genc Pollo: Përshëndes këtë tubim që keni bërë, megjithatë do thoja që respektin reciprok ta ruajmë. Nëse i ftoni njerëzit apo nëse ftoheni edhe ju do donit të respektoheni dhe jo të konsideroheni si një “qepë në jahni” siç tha një miku im me humor. Është e rëndësishme që media të gjejë unitetin dhe të veprojë kundër këtyre ligjeve./Hashtag.al