Kompania “Vëllezërit Hysa” nga Elbasani rezulton një prej sipërmarrjeve private që ka fituar më shumë tendera publikë gjatë periudhës së qeverisjes së “Rilindjes” së Edi Ramës.
Administratorët e saj, Agron dhe Kujtim Hysa, u arrestuan në fillim të vitit 2018, pasi Prokuroria e Elbasanit zbuloi se kompania nuk kishin kryer punime në aksin rrugor “Elbasan-Gjinar”, për të cilën ishte angazhuar si nënkontraktor.
Bashkë me vëllezërit Hysa, prokuroria e Elbasanit urdhëroi edhe arrestimin e dy ish-drejtuesve të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Dashamir Xhika dhe Andi Toma.
Megjithatë, Agron dhe Kujtim Hysa fituan shpejt lirinë, pasi gjykata rrëzoi më vonë masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj tyre, ndërkohë që, sipas një raportimi të “Reporter.al” në mars të këtij viti, ata po përballen në proces gjyqësor për akuzat e “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”.
“Boldnews.al” kreu disa verifikime mbi të dhënat publike për tenderat shtetërorë, nga të cilët rezulton se “Vëllezërit Hysa”, vetëm apo në bashkëpunim me kompani të tjera, janë shpallur fituese në një numër të konsiderueshëm procedurash prokurimi publik, në një vlerë që tejkalon shumën e 40 milionë dollarëve amerikanë.
“Boldnews.al” iu referua të dhënave të publikuara në portalet informative “opendata.al” për tenderat e zhvilluar nga institucionet qendrore dhe portalit “openprocurment” për procedurat e prokurimit publik të realizuar nga njësitë e qeverisjes lokale, për periudhën 2015-2019, gjatë të cilës qeveris e majta e drejtuar nga Edi Rama.
“Vëllezërit Hysa”, fitues i vetëm
Kompania “Vëllezërit Hysa”, gjatë 4 viteve të fundit, rezulton se është shpallur fitues si garues i vetëm në mbi 100 tendera, me vlerë totale rreth 38 miliardë lekë (të vjetra). Një pjesë të konsiderueshme të fondeve publike, kompania i ka marrë në tenderat e organizuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Po ashtu, si kompani e vetme, “Vëllezërit Hysa” është shpallur fitues edhe në disa tendera lokalë, ndër të cilët edhe në projektet që përfshiheshin si pjesë e “Rilindjes Urbane”.
Në Belsh, projekti “Ansambli Rilindja”, ishte parashikuar të shtrohej me gurë troktolit, ndërsa pllakat e gurit të shtruara në sheshin kryesor dhe pranë godinave, nuk janë pllaka prej guri troktolit, por një pjesë janë pllaka guri të marrë nga formacione shkëmbore ranore të imta dhe gëlqerorë. Është audituar projekti për realizimin e dy pedonaleve “Ndërtimi i pedonaleve dhe korsive të biçikletave, Liqeni Belsh”, të realizuara nga firma “Vëllezërit Hysa”.
“U konstatua se në pjesën e majtë është realizuar me trotuar me pllaka me përbërje guri gëlqeror, identike me pllakat e përdorura për një pjesë të sheshit kryesor dhe pranë godinave të “Ansamblit Rilindja”. Kontrolli i Lartë i Shtetit, në një audit të përfunduar në Maj 2018, konstaton se “Vëllezërit Hysa” duhet t’i kthej mbrapsht mbi disa qindra milionë lekë Bashkisë së Belshit, pasi nuk ka kryer punimet e kërkuara.
Tenderat në bashkëpunim me të tjerë
“Vëllezërit Hysa” është shpallur fitues edhe në afron 20 tendera të tjerë, ku është prezantuar në konkurim në formën e bashkëpunimit me kompani të tjera. Vlera totale e këtyre tenderave është rreth 5 miliardë lekë të reja dhe janë procedura prokurimi, të zhvilluara kryesisht nga njësitë e qeverisjes vendore.
Ndër këto tendera, më i fuqishmi është ai i realizuar nga Bashkia e Tiranës, për ndërtimin e një aksi rrugor që lidh zonën e Yzberishtit me pjesën e Unazës së Re. Në këtë tender, “Vëllezërit Hysa” është shpallur fitues, së bashku me “Be – Is sh.p.k & “Ergi”. Bashkia e Tiranës akordoi një fond prej mbi 2 miliardë lekësh.
Ka një veçanti për këtë rast. Administratorët e “Vëllezërit Hysa”, Agron dhe Kujtim Hysa, ishin të arrestuar për ‘Elbasan-Gjinar” në kohën kur administrata e Bashkisë së Tiranës së drejtuar nga Erion Veliaj, i shpalli fitues të këtij mega-tenderi lokal.
Sipas të dhënave të “openprocurment”, “Vëllezërit Hysa” ka pasur bashkëpunim edhe me një seri kompanish të tjera, në të cilat është shpallur fitues në tenderat e zhvilluar në Cërrik, Belsh, Kavajë, Gramsh, e të tjerë.
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Boldnews.al