Një shqiptar 33-vjeçar është lënë në gjendje të rëndë në dyert e një spitali në Spanjë. Mediat spanjolle shkruajnë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:00 të së mërkurës, kur persona të panjohur e lanë shqiptarin në dyert e spitalit La Fe de Valencia, me plagë të shkaktuara me armë zjarri.
Shqiptari kishte plagë në shpatull dhe në bark, të cilave nuk arriti dot t’u mbijetonte. Ai ndërroi jetë pak orë më vonë. Identiteti i shqiptarit nuk bëhet i ditur, ndërsa Policia Kombëtare e Spanjës thotë se ka hapur një hetim për të sqaruar se kush fshihet pas vdekjes së tij.
Hapat e ardhshëm janë kontrollimi i kamerave të sigurisë për të zbuluar se kush ishin personat që e lanë viktimën në derën e urgjencës dhe e braktisën atë.
Hetimi është ende i hapur. Këto lloj veprimesh me braktisjen e të plagosurve në spital janë tipike për mosmarrëveshjet ndërmjet klaneve ose rregullimeve të llogarive në ambiente kriminale, siç është trafiku i drogës. Këto janë situata në të cilat zakonisht përfshihen shokët e viktimave, të cilët preferojnë të fshihen në mënyrë që të mos kenë probleme me drejtësinë. Çështja tashmë është nën hetim nga një gjykatë në Valencia.