Taylor Swift ka zbuluar se ajo ka vendosur që turneu i vitit të ardhshëm të jetë më i shkurtër se sa ishte planifikuar, për shkak se dëshiron të qëndrojë më shumë pranë nënës së saj të sëmurë.
“Mirror” shkruan se të dy prindërit e këngëtares kanë mbijetuar njëherë nga kanceri, por së fundmi duket se shenjat e kancerit i janë rikthyer përsëri nënës së saj.
Duke folur për Billboard, Taylor Swift tha: “Ky është një vit ku unë duhet të jem atje për familjen time. Ka shumë pikëpyetje për vitin e ardhshëm, kështu që doja të sigurohesha që mund të kthehesha në shtëpi.”
Pra, në vend të turneut të saj të zakonshëm gjashtë mujor, ajo ka zgjedhur të realizojë një turne një mujor për albumin e saj të fundit, së bashku me artistë të tjerë.
Albumi i saj i ri “Lover” ka një këngë të titulluar “Soon You’ll Get Better”, që përkthehet “Së shpejti ti do të bëhesh mirë”. Kjo këngë mendohet se ka të bëjë me betejën e nënës së saj me kancerin.
Kjo këngë mban vargje shumë prekëse, si përshembull: “Çfarë supozohet të bëj, nëse nuk je ti. Kjo nuk do të kthehet kurrë në normalitet, nëse ka patur ndonjëherë. Kanë kaluar vite duke shpresuar. Dhe unë vazhdoj ta them sepse duhet: Oh, ti do të bëhesh mirë”.
Taylor Swift u hap para pak kohësh lidhur me shëndetin e nënës së saj Andrea, në një intervistë të shkurtër për Revistën Elle.
Ajo do të shprehej: “Më mësoi se ka probleme të vërteta dhe pastaj vjen çdo gjë tjetër. Kanceri i nënës sime është një problem i vërtetë. Unë dikur isha aq e shqetësuar për ulje-ngritjet e përditshme. Të gjitha shqetësimet, stresin dhe lutjet e mia i çoj për problemet reale tani.”