Policia e Zelandës së Re ka dërguar zhytës për të kërkuar dy trupa pranë vullkanit të ishullit të Bardhë, ndërsa gjashtë trupa u morën më herët në një tjetër operacion.
Vullkani shpërtheu të hënën kur rreth 47 njerëz ndodheshin atje në një tur ditor. Tetë njerëz ishin shpallur të zhdukur në ishull dhe pas operacionit të sotëm mendohet se kanë mbetur vetëm 2. Tetë të tjerë tashmë janë konfirmuar të vdekur dhe rreth 20 të tjerë mbeten në kujdes intensiv me djegie të rënda.
Pavarësisht rrezikut për një shpërthim të dytë, operacioni u nis të premten por tani kërkimi për dy trupat e mbetur do të vijojë të shtunën në mëngjes.
Nxjerrja e trupave nga Ishulli i Bardhë, u vonua për shkak të rritjes së aktivitetit sizmik dhe shqietësimeve për sigurinë së ekipit të kërkimit.
Kryeministrja Jacinda Ardern tha se pyetja se pse njerëzit u lejuan të vizitojnë vullkanin aktiv do të marrë së shpejti një përgjigje.
Pavarësisht rrezikut, të premten në mëngjes u zhvillua operacioni për të marrë trupat. BBC shkruan se autoritetet e dinin vendndodhjen e gjashtë prej të zhdukurve dhe ato trupa u nxorrën nga ishulli.
Një ekip prej tetë specialistësh fluturoi me helikopter në ishull dhe kaloi katër orë duke marrë trupat. Ata u dërguan më pas në një anije patrullimi detare dhe u kthyen në kontinent.
Komisioneri i Policisë, Mike Bush, tha në një deklaratë se për fat të keq dy persona ndodhen ende në ishull.
“Ne e dimë që të paktën një trup ndodhet në ujë dhe zhytësit aktualisht janë duke u përpjekur të rimarrin këtë trup. Ne jemi duke bërë çdo përpjekje për të gjetur dhe rikuperuar dy të vdekurit e mbetur.”- tha Bush.
GeoNet, faqja e informacionit gjeologjik të Zelandës së Re, tha të enjten se ka një shans 50-60% që një shpërthim tjetër mund të ndodhë të premten.
Vullkanologët paralajmëruan se nëse vullkani shpërthen ndërsa ekipi ndodhet në ishull, ata mund të përballen me magmë, avull të mbinxehur, hi dhe shkëmbinj.