Vendosni fjalën kyçe....

Vetëm fëmijët, apo fëmijët dhe nënat? Ministrja finlandeze detyrohet të kërkojë falje pas sondazhit për gratë e ISIS-it


Një ministre finlandeze është detyruar të kërkojë falje lidhur me një postim që kishte bërë në “Instagram”, ku pyeste njerëzit nëse ishin dakord që fëmijët që ndodhen në kampet e ISIS-it në Siri të kthehen në vendlindje së bashku me nënat e tyre.

Ministrja e sapoemëruar e Financave, Katri Kulmuni shkroi në Twitter: “Unë kërkoj falje për sondazhin”. Dhe ajo tani e ka fshirë atë.

Në sondazhin e ministres, njerëzve u kërkohej të votonin ose “vetëm fëmijët” ose “fëmijët dhe nënat”. Kjo nxiti shumë kritika.

Siç shkruan BBC, rreth 10 gra dhe 30 fëmijë në kampin al-Hol të drejtuar nga kurdët janë finlandezë.

Disa qeveri perëndimore tashmë kanë riatdhesuar disa fëmijë nga al-Hol dhe kampe të tjera në Sirinë veriore, ku mbahen të huaj të lidhur me IS-in, dikur ISIS-in. Në përgjithësi ato janë familje të xhihadistëve të Shtetit Islamik, të vrarë, të plagosur ose të zhdukur në luftën civile.

Por politikanët janë të ndarë për këtë çështje: shumica e pranojnë se fëmijët e vegjël janë viktima të luftës, por ekziston frika se shumë nëna janë indoktrinuar me ideologji të dhunshme xhihadiste.

Partia nacionaliste e finlandezëve, që ndodhet në opozitë, kundërshton riatdhesimet e tilla. Ministrja  Kulmuni, tha: “Doja të diskutoja këtë çështje komplekse dhe të vështirë në median sociale. Dështova dhe kërkoj falje për këtë.”

Ajo kryeson Partinë e Qendrës që është pjesë e qeverisë së re të koalicionit të udhëhequr nga gratë, që mori detyrën këtë javë.

Ministri i Jashtëm i Finlandës, Pekka Haavisto thotë se fëmijët nuk mund të riatdhesohen pa nënat e tyre sepse forcat kurde siriane që drejtojnë kampet kundërshtojnë ndarjen e tyre.

Qeveria e re përbëhet nga një koalicion me pesë parti të drejtuara nga gratë. Qeveria drejtohet nga kryeministrja më e re në botë, Sanna Marin, 34-vjeçe.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *