Ekstradohen nga Kroacia dhe Italia dy persona të cilët rezultojnë të dënuar në Shqipëri për vjedhje me pasojë vdekjen dhe prodhim e shitje narkotikësh.
Policia e Shtetit njofton se operacioni për ekstradimin e dy shqiptrëve u bë me përmes shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe homologëve në Kroaci dhe Itali.
Nga Specialistët e Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Zagreb/Kroaci drejt vendit tonë i shtetasit shqiptar Joland Bushati, 35 vjeç, banues në Lekbibaj.
Bushati ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër ka vendosur revokimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Tropojë, për lirimin para kohe me kusht dhe vazhdimin e vuajtjes së dënimit për pjesën e mbetur për 3 vite e 8 muaj e 24 ditë burg, i cili ka marrë formë të prerë me datë 04.01.2019, për veprën penale ”Vjedhje me pasojë vdekjen” e kryer në bashkëpunim dhe “Prodhim e mbajtje pa leje të armëve e municioneve luftarake”.
Bushati sëbashku me një tjetër me inicialet A. P., akuzohet se ka grabitur me armë pasagjerët e linjës “Bajram Curri-Lekbibaj” duke qëlluar për vdekje një punonjës policie, me inicialet N. Gj.
Po nga Z.Q.K Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Roma/Itali, i shtetasit shqiptar Vladi Sinani alias Vladimir Sinani, 29 vjeç, lindur në Bulqizë.
Ai ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër, e ka dënuar me 4 vjet e 8 muaj burg, për veprën penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”.