Forcat RENEA kanë hyrë në një klub nate në Shkodër, ku kanë arrestuar tre persona të cilët dyshohen se kanë shpërndarë lëndë narkotike. Të arrestuarit janë dy menaxherët e klubit dhe një person që këndonte aty, ndërsa është shpallur në kërkim dhe pronari.
Ky i fundit akuzohet se ka vënë në dispozicion ambientet e lokalit të tij për përdorimin e drogave të forta dhe për ushtrim prostitucioni.
Në momentin e kontrollit, policia ka sekuestruar një sasi të vogël lënde narkotike kokainë dhe sende të tjera që shërbejnë për përdorimin e lëndëve narkotike, 5 aparate celular dhe dokumentacionin e lokalit ku ushtrohej ky aktivitet.
DETAJET E POLICISË
Finalizohet operacioni policor i koduar “Klubet e natës”.
Operacioni nga DVP Shkodër, në bashkëpunim me forcat speciale Renea, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Shkodër.
Operacioni në funksion të hetimeve proaktive disamujore të realizuara nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë, për dokumentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike në klubet e natës dhe vënies së ambienteve të lokalit për ushtrimin e prostitucionit, në qarkun Shkodër.
Kontrollet janë shtrirë në shumë lokale dhe klube nate në Qarkun Shkodër.
Shpallet në kërkim pronari i një klubi, i cili kishte vënë në dispozicion ambientet e lokalit për përdorimin e drogave të forta dhe për ushtrim prostitucioni.
Vihen në pranga dy menaxherët e klubit dhe një shtetas tjetër, të cilët në bashkëpunim me pronarin e klubit kanë shpërndarë dhe shitur lëndë narkotike kokainë.
Pas një punë të mirorganizuar nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, me mbështetjen e focave Speciale Renea, u organizua dhe finalizua operacioni policor “Klubet e natës”, për goditjen e personave që shpërndanin lëndë narkotike në klubet dhe lokalet e natës, në Qarkun e Shkodrës.
Operacioni u zhvillua pas hetimeve të kryera si rezultat i procedimit penal të vitit 2019.
Si rezultat i operacionit u bë kapja dhe arrestimi i shtetasve:
- V, 29 vjeç, menaxheri i klubit, lindur dhe banues në Shkodër, i dënuar më parë për veprën “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
- M., 27 vjeç, menaxher i klubit, lindur dhe banues në Shkodër, i arrestuar më parë për të njëjtën vepër penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, në bashkpunim”.
- J., 57 vjeç, këngëtar ne club, lindur në Muriqan e banues në Shkodër.
Gjithashtu u bë shpallja në kërkim policor e pronarit të lokalit, shtetasit E. M., si dhe u proceduan në gjendje të lirë shtetasit Ç. P., 33 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër (klient) dhe L. S., 31 vjeçe, banuese në Shkodër (balerinë).
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se të gjithë këta shtetas, në bashkpunim me njëri-tjetrin dhe persona të tjerë kanë shitur dhe shpërndarë lëndë narkotike kokainë, kanë vënë në dispozicion ambientet e lokalit për përdorimin e drogave dhe për ushtrim prostitucioni.
Në momentin e kontrollit, Policia ka sekuestruar një sasi të vogël lënde narkotike kokainë dhe sende të tjera që shërbejnë për përdorimin e lëndëve narkotike, 5 aparate celular dhe dokumentacionin e lokalit ku ushtrohej ky aktivitet.
Vazhdon puna me intesitet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe për zbardhjen e bashkëpunëtorëve të tjerë.
Materialet referohen në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat
penale ‘’Prodhimi dhe shitja e narkotikëve’’ në bashkëpunim, ‘’Përshtatja e lokalit për përdorim droge’’, ‘’Prostitucioni’’, ‘’Mbajtja e lokaleve për prostitucion’’ dhe ‘’Fshehja e të ardhurave’’.