Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu deklaroi sot se vendi i tij do të vazhdojë të blejë sisteme S-400 nga Rusia pavarësisht pasojave të paralajmëruara nga administrata e presidentit të SHBA-së Donald Trump.
Ai gjatë një konference në Doha të Katarit tha se Turqia ka nevojë për një sistem të mbrojtjes ajrore.
“Pavarësisht nga pasojat, Turqia nuk do të anulojë marrëveshjen e nënshkruar me Rusinë për të blerë sistemet e raketave S-400. Ne u përpoqëm ta merrnim atë nga SHBA dhe të tjerët, por pa asnjë përfitim. Ky është një sistem mbrojtës që është jetik për ne,” tha Cavusoglu.
Në mënyrë të ngjashme, ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Hulusi Akar foli në të njëjtin tubim, duke përsëritur se Turqia është përpjekur të sigurojë sisteme nga vendet e tjera, duke përfshirë SHBA dhe Francën, por pa asnjë dobi, dhe se vetëm Rusia është përgjigjur.
Ministrat folën vetëm dy ditë pasi senatorët amerikanë mbështesin një projektligj që do të lejonte sanksione ndaj Turqisë për blerjen e sistemit S-400.
Gjithashtu, ky ligj parashikon dënime për zyrtarët turq për një operacion ushtarak në Siri kundër forcave lokale kurdë.