Vendosni fjalën kyçe....

Shkarkimi i minatorëve që anëtarësohen në sindikatë, krim i rëndë


Blog-Autor: Klodian Tomorri

Ditët e fundit në media është raportuar se kompania Albchrome, e cila ka me koncesion minierën e Bulqizës është duke pushuar masivisht punonjësit nga puna, për shkak se këta të fundit janë organizuar duke krijuar një sindikatë.

Ministria përgjegjëse për punën duhet të verifikojë urgjentisht vërtetësinë e këtyre pretendimeve.

Nëse është e vërtetë se punonjësit janë pushuar për shkak të anëtarësimit në sindikatë, atëherë jemi përballë një shkeljeje flagrante, jo vetëm të ligjit, por edhe të drejtave themelore të njeriut. Ky është krim i rëndë, që të çon për ndjekje penale. Shkelja e të drejtave themelore të njeriut është dosje për SPAK.

Në Shqipëri, liria sindikale është e mbrojtur me ligj dhe e sanksionuar në Kodin e Punës. Çdo punonjës ka të drejtë të anëtarësohet në çdo sindikatëe ose të formojë vetë një të tillë për sa kohe e bën këtë në perputhje me ligjin.

Neni 10 i Kodit të Punës thotë shprehimisht:

1-Askush nuk ka të drejtë të kushtëzojë punësimin e punëmarrësit nëse ai është ose jo ose pushon së qenuri anëtari i një sindikate të krijuar në bazë të ligjit;

2- Askush nuk ka të drejtë të pushojë ose cënojë të drejtën e punëmarrësit për shkak të anëtarësimit ose jo në një sindikatë të krijuar në bazë të ligjit ose të pjesëmarrjes në veprimtari sindikale duke respektuar legjislacionin në fuqi.

çdo pushim nga puna për anëtarësim në sindikatë është i paligjshëm. Zgjidhja e kontratës së punës quhet nul dhe punëdhënësi detyrohet të shpërblejë punonjësin e pushuar deri në qindarkën e fundit.

Por jo vetëm kaq. Shkarkimi nga puna për shkak të anëtarësimit në sindikatë përbën diskriminim. Është e shprehur qartë edhe në Kodin e Punës dhe në Ligjin për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Dhe diskriminimi është veper penale. Çdo biznes që shkarkon punonjësit mbi baza diskriminimi shkon për ndjekje penale.

Meqenëse jemi në një kompani koncesionare, e cila shfrytëzon pasuri publike është detyrë e Ministrisë së Financave dhe Punës, e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Avokatit të Popullit që të verifikojne menjëherë të gjithë ngjarjen. Mosveprimi i ngarkon edhe këto institucione me përgjegjësi ligjore.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *