Vendosni fjalën kyçe....

Burri i Besa Shahinit zgjidhet kryetari i ri i PSD-së në Kosovë: Rruga e progresit kalon përmes dështimit


Dardan Molliqaj, bashkëshorti i ministres së Arsimit Besa Shahini, është kryetari i ri i PSD-së në Kosovë.

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti, ka dhënë dorëheqjen paraditen e së dielës nga pozicioni i kreut të partisë dhe nga të gjitha strukturat e saj. Lajmin e dha vetë Ahmeti përmes një njoftimi në rrjetet sociale.

 “Për të mos kërkuar përgjegjësi nga asnjëri individualisht, si kryetar kam kërkuar mbledhjen e Kuvendit të PSD, organi më i lartë vendimmarrës i saj. Kjo na mundëson që të reflektojmë si kolektiv dhe të marrim përgjegjësi si parti. Ky propozim u aprovua në mënyrë unanime dhe nga sot PSD do të ketë kryetar të ri dhe Këshill të ri. Pastaj Këshilli do të votojë kryesinë e re dhe pozitat tjera udhëheqëse në parti. Po ashtu ju njoftoj se unë kam vendosur që të mos kandidojë për asnjë pozitë në parti”, shkruante Ahmeti.

Pa humbur shumë kohë, brenda së njëjtës ditë kjo parti mbajti mbledhjen e Kuvendit ku u votua për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Siç shkruan gazeta Express, fillimisht ishin 5 emra të kandidatëve në garë për kryetar të partisë. Por, katër prej tyre u tërhoqën dhe Dardan Molliqaj mbeti i vetëm në garë.

Me 83,7% të votave pro, Dardan Molliqaj, u zgjodh kryetar i ri i PSD-së. Ai e konfirmoi lajmin më vonë, ku falenderoi anëtarët e partisë së tij që e votuan.

“Pranova zgjedhjen tuaj që ta udhëheqi PSD-në në këtë fazë të vështirë, ngase besoj shumë që tek çdo dështim mbarset një përpjekje e re; dhe besoj shumë që rruga e progresit dhe fitores kalon pashmangshëm nëpërmes dështimeve. Vetëm ata që nuk zmbrapsen para krizave mund të prodhojnë diçka të re në politikë.”– tha Molliqaj.

Kryetari i ri tha se do të sfidojë populizmin në Kosovë: “ Përtej iluzionit të ndryshimit, Kosovën po e pret qeverisja populliste me mendësi totalitare. Dhe derisa me entuziazëm, popullistët e rinj, parashikojnë që nuk do të ketë opozitë as alternativë përballë pushtetit të tyre, ne do të jemi këtu t’ua kujtojmë që historia s’merr fund me ta. Që ka ende njerëz në Kosovë që besojnë në progres. Ka ende njerëz në Kosovë që nuk i tremb hegjemonia e pushtetit të ri. Që ka ende njerëz në Kosovë që popullizmin e tyre do ta sfidojnë me politikë të majtë progresive. Dhe këta njerëz, një ditë do të bëhen shumë.

Vetëm përmes perspektivës së aktivizmit dhe angazhimit këmbëngulës, mund të shohim përtej pashpresës e zhgënjimit. Bashkë, sot e pamë të ardhmen tonë në politikë. Të ardhmen si përpjekje e pandalshme edhe kur gjithçka përreth na thotë të ndalemi; të ardhmen si rrugë përplot me vështirësi, sfida e përbuzje. Por të ardhmen që në fund patjetër do të jetë e ndritur.”


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *