Sot opozita mblodhi gazetarët në një tryezë të përbashkët për lirinë e medias, për të kundërshtuar ligjet e propozuara së fundmi nga qeveria për mediat. Në këtë tryezë gazetarët kanë shprehur të gjitha shqetësimet e tyre lidhur me propozimet e përmbledhura në të ashtuquajturën “Paketë Antishpifje” dhe kanë kërkuar dhe ndihmë nga opozita.
Shqetësimet e gazetarëve përmblidhen kryesisht në 4 pika: paketa antishpifje e Ramës cënon të drejtat e tyre të fjalës së lirë, cënon sistemin demokratik në vend, kompania Acromax po kontrollon kontentin online, kauza e gazetarëve nuk është vetëm e tyre dhe duhet mbështetje dhe nga opozita e shoqëria.
Çështjet e ngritura nga gazetarët
Gazetarët e konsiderojnë propozimin e maxhorancës së pari si kërcënim për lirinë e fjalës dhe kthimin e AMA-s në një agjenci censure.
“Ky ligj është një kërcënim për fjalën e lirë. Vijmë këtu në këtë takim sepse e konsiderojmë një çështje shumë të rëndësishme për pluralizmin. Asnjëherë nuk ka pasur një adresim të tillë censurues mbi një draft të tillë siç po bën qeveria. Ky draft mbart në vetevete probleme shumë serioze në institucionalizmin e censurës siç është AMA, bordi i AMA-s ka brendinë e një agjensie censure.”– tha Aleksandër Çipa.
Por shumë prej përfaqësuesve të medias thanë se ligjet e propozuara nga maxhoranca jo vetëm cënojnë ata në pozicionin e gazetarit, por cënojnë edhe qytetarët të cilët nuk mund të njihen me asnjë version tjetër përveç atij që u propagandon qeveria.
Sociologu Ergys Mërtiri tha se kjo situatë po rrezikon seriozisht dhe sistemin demokratik në vend, për shkak të monopolizimit të mediave dhe të sistemit të kapur të drejtësisë.
“Fjala e lirë dhe gjykata e pavarur janë dy siguresat kryesore që mbajnë në këmbë sistemin demokratik. Përndryshe demokracia ka rënë. Praktikisht ne sistemin gjyqësor nuk e kemi dhe mënyra si po bëhet po e shohim. Vetëm fjala e lirë ka mbetur. Rrugët e tjera për mbrojtjen e sistemit janë ushtarake pastaj. Rama mund të çohet një ditë befas me pizhama dhe thotë se: Nga sot e tutje Shqipëria është një vend diktature. Cili institucion e ndalon këtë? Dhe nëse janë kapur dhe mediat, si do të mundet populli të ngrihet kundër qeverisë, kur formohet pikërisht nga këto media?” -thotë Mërtiri.
Një tjetër shqetësim që disa prej përfaqësuesve të medias kanë ngritur, duke nisur nga Aleksandër Çipa, Erion Kristo e Spartak Koka… është ai për kompaninë Axromax që po mban pronësinë e përmbajtjes në videot online. Madje Kristo bëri thirrje për një bashkim të gazetarëve, për ta goditur atë.
“I bëj një thirrje kolegëve të mi të dashur që “mos e çani” për atë ligj, se një copë ligji është. Unë do filloj të përdor gjuhën e Ezopit e do them tërë kohën që ‘Tigri është hajdut’. ‘Voldemorti’ do them për këtë që është në krye. Nga do e kuptojnë se është shpifje? Cili ligj e kap? Së dyti i bëj thirrje kolegëve të mi që të gjejnë rrjete të tjera të pakontrolluara nga kjo kompania Kromashia (e ka fjalën për Axromax), që është një kompani. I bëj thirrje të gjithë kolegëve këtu që të bashkojmë forcat që ta godasim atë kompaninë, të zhvendosemi nga rrjetet që ajo kontrollon. Të gjejmë rrjete të tjera. Të gjitha mesazhet e mia që them në emision unë dua t’i postoj, por s’e bëj dot”- tha Kristo.
Gazetarët i kërkuan qeverisë mbështetje edhe përmes protestave. Të mërkurën dhe të enjten gazetarë, qytetarë e aktivistë të shoqërisë civile do të dalin të protestojnë me shami të zezë në gojë, për të simbolizuar se mediave po u mohohet e drejta e fjalës së lirë. Por sipas Agron Gjekmarkajt, nuk është e mjaftueshme vetëm protesta e gazetarëve.
“Derisa të zhbëhet ky ligj ne do të jetojmë në një demokraci të kufizuar. Opozita duhet të reagojë në protesta si në çështjen e lirisë së votës. Këtë duhet ta bëjë shoqëria dhe jo vetëm 2-3 mijë gazetarë. Nëse shoqëria nuk përgjigjet nuk është faji i opozitës, por i shoqërisë e cila do të durojë edhe probleme të tjera përveç censurës dhe lirisë së informimit të drejtë.”– tha Agron Gjekmarkaj.
Po opozita çfarë mori përsipër?
Opozita u zotua t’i mbështesë gazetarët përmes protestave. Por në rast se gjithsesi qeveria do t’i kalojë projektligjet e propozuara, kryetari i PD-së Lulzim Basha mori përsipër tre zotime:
“Tre përkushtime i marr sot para jush:
Një zotim solemn: Anulimin e këtij akti e çdo akti tjetër që cënon standardet e së drejtës së fjalës.
Kërkesën për të hartuar së bashku një kuadër rregullator, që do të hyjë në fuqi që në javën e para të një maxhorance të re.
Zotimin tim për t’i dhënë fund çdo praktike që ka për qëllim dobësimin e rolit të medias në trasmentimin e mesazhit te publiku, kasetat, bllokimin e gazetarëve në aktivitete.
Këto tre përkushtime i marr sot zyrtarisht përpara jush. Jemi të gatshëm t’i hedhim me gjithë shoqatat e medias. Nga dita e mërkurë mirëpres çdo formë bashkëpunimi me ekspertët tanë.” u shpreh Basha.