Vendosni fjalën kyçe....

Protesta të mërkurë e të enjte, çfarë do bëjnë qytetarët e gazetarët këtë javë kundër projekligjit të Ramës


Ndërkohë që me datë 19 dhjetor qeveria pritet të kalojë në Parlament projektligjin për median kundër shpifjes, gazetarë e aktivistë kanë përgatitur një plan masash për ta penguar këtë gjë. Ata fillimisht dolën dy ditë më parë me një deklaratë të përbashkët në dy gjuhë, ku shprehin qëndirmin kundër projektligjit për median.

“Gazetarët shqiptarë, mediat shqiptare, organizatat e medias dhe ato të shoqërisë civile i bëjnë thirrje qeverisë të tërheqë menjëherë dhe pa negociata dy projektligjet e prezantuara si “Paketa Antishpifje”; i bëjnë thirrje Qeverisë që të tërheqë urgjentisht këto projektligje.Organizatat vërejnë se dy projektligjet, ai për transformimin e AMA-s në një agjenci censure, dhe të AKEP-it në një agjenci përmbarimore për vendimet censuruese të AMA-s, përbëjnë një akt të paprecedent në botën demokratike.”– thuhet mes të tjerash në deklaratë.

Gazetarët kanë planifikuar dy forma të ndryshme protestash, ato fizike në rrugë si dhe ato në formën online apo duke ngritur zërin nëpër emisione.

Të mërkurën dhe të enjten gazetarë, qytetarë e aktivistë të shoqërisë civile do të dalin të protestojnë me shami të zezë në gojë, për të simbolizuar se mediave po u mohohet e drejta e fjalës së lirë.

Sot edhe opozita ka organizuar një takim me gazetarët, duke i shprehur mbështetjen gazetarëve në kauzën e tyre. Kreu i PD-së, Lulzim Basha tha se në rast se maxhoranca do ta kalojë ligjin në fjalë, ai dhe opozita e bashkuar nuk do ta njohin atë dhe në momentin e parë që do vijnë në qeverisje do ta anulojnë.

Gazetarët e shohin paketën-antishpifje të Ramës si kërcënim për fjalën e lirë. Ata i kërkuan sot opozitës që të bashkohet në protestën e tyre e madje të organizojë protesta për këtë çështje.

“Derisa të zhbëhet ky ligj ne do të jetojmë në një demokraci të kufizuar. Opozita duhet të reagojë në protesta si në çështjen e lirisë së votës. Këtë duhet ta bëjë shoqëria dhe jo vetëm 2-3 mijë gazetarë. Nëse shoqëria nuk përgjigjet nuk është faji i opozitës por i shoqërisë e cila do të durojë edhe probleme të tjera përveç censurës dhe lirisë së informimit të drejtë.”– tha Agron Gjekmarkaj./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *