Vendosni fjalën kyçe....

“Shtyrja e gjendjes së jashtëzakonshme i shërben axhendës së kryeministrit Rama” – PD


Partia Demokratike ka denoncuar zgjatjen me 3 muaj të gjendjes së jashtëzakonshme.

Në një deklaratë zyrtare, selia blu thekson se kjo nuk u shërben qytetarëve të prekur nga tërmeti por axhendës politike të kryeministrit.

‘Me zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme edhe për 3 muaj të tjerë, qeveria nuk i shërben qytetarëve të prekur nga tërmeti, por axhendës politike të Edi Ramës. Për një qeveri, e cila nuk ka si prioritet përfitimet politike dhe financiare nga fatkeqësia e mijëra njerëzve, 30 ditë janë të mjaftueshme për t’u rikthyer qytetarëve sigurinë për banesat, për të bërë planin për strehimin e përkohshëm të të gjithë të prekurve dhe planin për rindërtimin e banesave, shkollave dhe spitaleve të dëmtuar.’ – thuhet në deklaratë.

Më tej theksohet se kryeministri Rama afatin e gjendjes së jashtëzakonshme e përdori për shfaqje dhe jo për të zgjidhur problemet e qytetarëve, njësoj siç bëri me të prekurit e tërmetit të qershorit në Korçë apo të tërmetit të 21 shtatorit në Tiranë .

‘Këtë afat Edi Rama e përdori për show dhe jo për ofrimin e zgjidhjeve në dobi të qytetarëve të prekur nga tërmeti. Asnjë plan i prezantuar, asnjë masë konkrete e marrë, vetëm fjalë boshe, identike me fjalët boshe pas tërmetit të Qershorit 2019 në zonën e Korçës dhe tërmetit të 21 Shtatorit. Fakti që kjo qeveri nuk është e aftë që brenda afatit kushtetues 30 ditor të bëjë planin e nevojshëm për marrjen e masave që përballojnë fatkeqësinë natyrore, është treguesi më i qartë i dështimit dhe paaftësisë së Edi Ramës për t’u shërbyer në kohë qytetarëve.’  vijon deklarata.

Në fund të deklaratës theksohet se me shtyrjen e gjendjes së jashtëzakonshme, qytetarët do jenë peng i qeverisë dhe se zgjatja e saj nuk u shërben atyre.

Sipas PD-së, me shtyrjen e kësaj gjendjeje, qeveria kërkon të fshehë krizën e rëndë politike dhe të pengojë zbatimin e Reformës Zgjedhore.

‘Propozimi i Edi Ramës që gjendja e fatkeqësisë natyrore të zgjasë deri në Mars 2020 nënkupton që qytetarët do të mbahen peng dhe deri atëherë Qeveria nuk do t’i ofrojë asnjë zgjidhje. Qytetarët e prekur nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019, kanë nevojë urgjente për zgjidhje. Për Partinë Demokratike është e rëndësishme që qytetarët të qartësohen sa më parë, që Qeveria të prezantojë menjëherë masat për mënjanimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore, që Qeveria të mos shtyjë zgjidhjen e situatës, por të planifikojë fondet e mjaftueshme financiare për t’i dhënë zgjidhje qytetarëve. Kjo duhet të bëhet tani, pa asnjë shtyrje, pa asnjë zgjatje. Zgjatja e fatkeqësisë natyrore nuk është e justifikuar, pasi ajo nuk u shërben qytetarëve. Duke shtyrë me 3 muaj gjendjen e fatkeqësisë natyrore, Edi Rama kërkon të fshehë krizën e rëndë politike në vend, duke keqpërdorur krizën pas tërmetit, të shkaktuar, në një masë të madhe, nga korrupsioni shtetëror dhe paaftësia për të menaxhuar situatën. Duke shtyrë edhe me 3 muaj gjendjen e jashtëzakonshme, Edi Rama synon të pengojë implementimin e Reformës Zgjedhore dhe zgjidhjen e krizës politike, siç Bundestagu kërkon, përmes zgjedhjeve të parakohshme, të përgjithshme dhe vendore, pasi Kushtetuta i ndalon ato, për sa kohë vendi është në një situatë të tillë.’ -mbyllet deklarata e PD-së.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *