Bashkimi Europian ka shprehur sërish shqetësim për projektligjet për mediat.
Në një reagim zyrtar, BE-ja thekson se disa rekomandime të bëra nuk janë marrë në konsideratë nga autoritetet edhe në draftin e rishikuar të projekligjit.
‘Komisioni Evropian iu përgjigj kërkesave të medias shqiptare sa i përket ndryshimeve në paketën e ligjeve për median: Komisioni ka shqyrtuar paketën legjislative për median, ka bërë komente dhe ka shprehur shqetësimet gjatë gjithë procesit të hartimit të paketës. Komisioni u ka bërë thirrje autoriteteve që të marrin në konsideratë komentet e bëra nga OSBE dhe rekomandimet e Këshillit të Evropës, të mobilizuara nëpërmjet fondeve të BE, në mënyrë që të sigurojë përputhshmërinë me standardet europiane në fushën e lirisë së shprehjes. Këto rekomandime përfshijnë, ndër të tjera, kufizimin e qëllimit të rregullimit vetëm në shërbimet e mediave audio-vizive online, duke promovuar vetë-rregullimin, sigurimin e shqyrtimit të pavarur gjyqësor të ankesave të lidhura me median dhe forcimin e transparencës së pronësisë së mediave në vend.’ – thuhet në deklaratë.
Më tej theksohet se të gjitha rekomandimet, që janë thënë më herët nga Komisionerja Europiane për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mujatoviç, të merren parasysh përpara miratimit përfundimtar të ligjit.
‘Komisionet parlamentare kanë miratuar mbrëmjen e kaluar një draft të rishikuar të paketës. Megjithatë, në draft nuk janë marrë parasysh disa rekomandime të bëra nga aktorët ndërkombëtarë dhe kështu drafti ende ngre shqetësime. Është e rëndësishme që të gjitha këto rekomandime, – të përsëritura sot nga Komisionerja e Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatovic, – të merren parasysh siç duhet përpara miratimit përfundimtar të ligjit’, thuhet në përgjigjen e Komisionit Europian.
Më herët kryeministri Rama shkroi në Twitter se ligji do miratohej në seancën e nesërme pasi ishte dakordësuar me ekspertët e zyrës së OSBE-së në Vjenë.
/Hashtag.al