Vetëm gjatë muajit shtator në Bashkimin Europian u regjistruan 1,770 kërkesa të reja për azil nga shqiptarët, apo rreth 14% më shumë se një muaj më parë. Eurostat ka publikuar të dhënat e reja për tremujorin e këtij viti, ku për periudhën korrik-shtator janë shënuar rreth 5,120 kërkesa.
Ndërsa gjatë periudhës janar-shtator numri i tyre u rrit me 21% në krahasim me një vit më parë. Në total për 9 muajt e parë të këtij viti kanë aplikuar për herë të parë edhe 15,469 shqiptarë të tjerë, ndërkohë që për të njëjtën periudhë të një viti më parë numri i aplikimeve ishte 12,835.
Kryesojnë Franca dhe Anglia
Edhe për muajin shtator vendi me numrin më të lartë të aplikimeve për herë të parë nga Shqipëria është Franca, me 570 aplikime të reja.
Gjithashtu Mbretëria e Bashkuar po kthehet një destinacion për azilkërkuesit shqiptar ku në dy muajt e fundit të raportuar renditet në vendin e dytë të BE-së me aplikimet më të larta nga shqiptarët. Kështu në muajin shtator u regjistruan në Mbretërinë e Bashkuar 356 azilantë.
Franca dhe Mbretëria e Bashkuar përgjigjeshin për gjysmën e aplikimeve për herë të parë nga shqiptarët në muajin shtator.
Më pas renditet Greqia, me 215 aplikime, apo 12% të totalit dhe Irlanda me 191 aplikime apo 10% e totalit.
Në Gjermani aplikuan gjatë muajit shtator 130 shqiptarë, ndërsa të dhënat paraprake të Eurostat flasin për një numër të njëjtë aplikimesh edhe gjatë muajit tetor. Ndërsa në nëntor aplikuan për azil 145 shqiptarë të tjerë.
Në vendet e tjera të Bashkimit Europian u regjistruan gjatë shtatorin 290 aplikime, kryesisht në Itali, Suedi edhe Belgjikë.
Vetëm gjatë muajit shtator numri i përgjigjeve negative nga ana e autoriteteve ishte 1321, ndërsa vetëm 57 kërkesave iu dha statusi i refugjatit. Autoritetet përkatëse në BE vlerësuan në shtator se vetëm 47 prej kërkesave duhet të përfitojnë azil. Kjo tregon normën e ulët të pranimeve të kërkesave nga shqiptarët. Aplikantët gjeorgjianë dhe shqiptarë kishin nivelin më të ulët të njohjes (përkatësisht 3% dhe 6%) midis 10 vendeve kryesore të origjinës, shkruhet në raportin mujor.
Situata e azilkërkuesve në BE
Eurostat raporton që gjatë tremujorit të tretë të këtij viti aplikuan për herë të parë për azil 166 400 mijë azilantë.
Me 20,900 aplikantë për herë të parë midis korrikut dhe shtatorit 2019, sirianët mbetën grupi më i madh i personave që kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare në shtetet anëtare të BE-së, përpara afganëve (14 400 aplikantë për herë të parë) dhe Venezuelasve (9 600).
Në tremujorin e tretë të vitit 2019, njerëzit nga këto vende përfshinin tre shtetësinë kryesore të aplikantëve për herë të parë të azilit në shtetet anëtare të BE-së, dhe përbënin 27% të të gjithë aplikantëve për herë të parë të azilit.
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al