I konsideruar si udhëheqësi i një bande kanabisi, shqiptari Fatos Metua është urdhëruar nga gjykata të paguajë më pak se një të dhjetën e 1.7 milion paundëve që ai bëri nga shitja e drogës.
Siç shkruan media lokale “DevonLive”, Metua e përdori biznesin e tij të ndërtimit si një mjet për një organizatë kriminale që transportoi dy të tretat e një ton kanabisi në Devon, Cornwall dhe Somerset.
Ai rekrutoi punonjës nga biznesi i tij dhe të tjerë, përfshirë një student, për të transferuar mallin në Devon, ku ata furnizuan tre rrjete të veçanta shpërndarjeje.
Metua me origjinë shqiptare bëri më shumë se 1,7 milion paund nga biznesi, por pas një hetim dy vjeçar në bazë të Ligjit të të Ardhurave të Krimit gjurmoi asete me vlerë 148,237.64 paund.
Ai do të detyrohet të shesë një shtëpi që zotëron në Wolverhampton dhe aksionet që ai zotëronte në kompaninë e tij të ndërtimit për të paguar urdhrin e konfiskimit.
Bashkëshortja e tij, e cila jeton në Shqipëri me fëmijët e tij, pretendoi se ajo zotëronte gjysmën e pasurive të tij, por kjo u refuzua nga gjyqtari Timothy Rose në Exeter Crown Court.
Gjykatësi vuri vulën me një urdhër që përcakton shifrën e përfitimit në 1,708,165.86 paund dhe aktivet në dispozicion në 148,237.64 pound. Ai duhet të kthejë paratë në tre muaj ose të vuajë 15 muaj më shumë në burg.
Një tjetër anëtar i bandës, Kosrat Ali, u urdhërua të shlyente një detyrim prej 13,082.50 paundësh brenda tre muajve ose të shërbente dhe gjashtë muaj shtesë në burg.
Sipas portalit britanik, Metua, 47 vjeç, u dënua në qershor të vitit të kaluar me pesë vjet e katër muaj burg, pasi pranoi tre akuza në lidhje me furnizimin e kanabisit. Ai u identifikua si drejtuesi i grupit kriminal nga një operacion gjashtëmujor policor i koduar “Operacioni Corinth”.
Banda u godit kur Ali dhe shoku i tij u përgjuan ndërsa dërgonin 13.5 kilogramë kanabis në një restorant indian në Topsham, ku menaxheri Hannan Miah kishte rënë dakord për të ruajtur drogën për një mik.