Carlo Bollino i është bashkuar gazetarëve që kundërshtojnë të ashtuquajturën “Paketë Antishpifje” të kryeministrit Edi Rama.
Edhe pse në shumicën e rasteve, Bollino ka qenë mbështetës i reformave dhe ligjeve të miratuara e propozuara nga kjo qeveri, këtë radhë ai mendon se projektligji i ri për mediat përbën një kërcënim serioz.
“Edhe pse për herë të parë mbron të drejtën e një qytetari që cënohet nga shpifja e një media, ky ligj, për nga mënyra se si është hartuar rrezikon të shndërrohet në një mjet të rrezikshëm presioni dhe kontrolli në duart e qeverisë së radhës. Sot është shumica socialiste që e propozon dhe që mund ta përdorë në dëm të gazetarëve. Por neser mund të jetë Partia Demokratike që mund të bëjë të njëjtën gjë, ose çdo forcë tjetër politike që do të arrijë të marrë pushtetin në vend të tyre.”- shkruan Bollino në një shkrim të publikuar në llogarinë e tij në ‘Facebook’ si dhe në portalin që ka në pronësi, Shqiptarja.com.
Gazetari jep edhe argumentet e tij se përse këtë propozim të Ramës e konsideron të rrezikshëm. Bollino thotë se korrigjimet e bëra në dy projektligjet e përfshira në paketë, në të vërtetë nuk hedhin dritë mbi shumë pika të errëta.
Ai shton: “Paketa’’ modifikon ligjin “97” të vitit 2013 që ka rregulluar deri tani përmes AMA-s aktivitetin e radiove dhe televizioneve dhe që këtej e tutje do të duhet të merret edhe me portalet online. Paketa i jep AMA-s superfuqi për t’u vënë edhe gjoba (deri 400.000 lekë të reja) portaleve që nuk pranojnë të publikojnë përgënjeshtrime për lajme të konsideruara shpifese nga “viktimat” dhe këto gjoba duhen paguar edhe nëse portali ka bërë ankimim në gjykatë. Madje AMA ka fuqinë të mbyllë një portal nëse refuzon të heqë ‘’brenda 60 minutash’’ një përmbajtje që i përkasin tre argumentat: pornografi infantile, nxitje e terrorizmit dhe kërcënim ndaj sigurisë kombëtare (pika 5/a neni 29 i projektligjit). Përcaktimi “siguri kombëtare” është në të vërtetë shumë i vakët dhe mjafton kjo për të lejuar që ky ligj të transformohet në një mjet abuzimesh të pafundme.
Dobësia e ligjit anti-shpifje konsiston pikërisht në konfuzionin që prodhon. Mes aspekteve të tij kërcënuese një nga nenet parashikon që AMA të ketë fuqinë për të “pezulluar ose hequr licencën” e një medie (pika “1/d” neni 29 i projektligjit). Por meqë për portalet online nuk është parashikuar asnjë liçencë, nga teksti i votuar në komision kuptohet se në të vërtetë një vendim i tillë mund të jetë për radiot dhe televizionet që për herë të parë do të mund të mbyllen me një urdher politik. Një aspekt që e bën këtë ligj ekuivok është pikerisht fakti se autoriteti që merr kompetenca për të vendosur nuk është gjykata por AMA, që pavarësisht ligjit, ka qenë gjithmonë dhe është edhe sot e kësaj dite një organizëm i kushtëzuar nga shumica në pushtet.”
Bollino sqaron se në projektligj nuk parashikohet asnjë detyrim për portalet online që punësojnë gazetarët t’i regjistrojnë ata pranë organeve tatimore, dhe asnjë modifikim në ligjin mbi të drejtat e autorit për të ndaluar fenomenin e copy/paste të lajmeve, për të kufizuar përhapjen e fake news.
Sipas tij është e qartë: “Paketa anti-shpifje është menduar nga teknicienë që nuk e njohin botën e mediave”.
Sot gazetarët pritet të zhvillojnë një protestë kundër dy projektligjeve të mediave që ka paralajmëruar të miratojë Kuvendi pas propozimit të Ramës. Siç ka njoftuar Këshilli Shqiptar i Medias, protesta do mbahet para parlamentit në orën 09:30./ Hashtag.al