Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi e ka quajtur goditje nga krimi e drejtësisë së kapur, vendimin për dënimin e ish-deputetit demokrat Ervin Salianji dhe gazetarit Jetmir Olldashi.
“Dënimi i Salianjit dhe i Olldashit si dhe miratimi i të ashtu quajturës paketa “Anti-shpifje”, është luftë e humbur e Edi Ramës për të fshehur të vërteta, të cilat tashmë të gjithë shqiptarët i njohin dhe për të cilat do t’i japin atij shumë shpejt dënimin e merituar”-shkruan Kryemadhi.
Postimi i plotë:
Drejtësia e kapur goditi në emër të eksponentëve të krimit të organizuar për hakmarrje, Ervin Salianjin dhe Jetmir Olldashin.
Ata janë “fajtorë”, sepse nxorën të vërtetat në sytë e të gjithë shqiptarëve, treguan qartë se trafikantët qeverisin dhe bëjnë ligjin në Shqipëri, të ulur këmbëkryq edhe në karriget e qeverisë.
Këto dënime nuk trembin dhe nuk dekurajojnë askënd. Ato tregojnë se pushteti është në grahmat e fundit dhe beteja për të rivendosur shtetin e së drejtës dhe largimin e trafikantëve nga pushteti është beteja e të gjithë shqiptarëve, të cilët nuk mund të pranojnë kurrsesi që në Shqipëri të qeverisë krimi i organizuar dhe grabitqarët e koncesioneve miliardere.
Ne do vazhdojmë të demaskojmë deri në fund kriminalizimin e qeverisjes dhe grabitjen shtetërore monstruoze të parave të shqiptarëve. Nuk do të ketë as gjykatë të korruptuar e prokurori të kapur që të na ndalë në rrugën tonë.
Prokurorët dhe gjykatësit e këtij gjyqi farsë që u vu në shërbim të qeverisë së trafikantëve janë sot nën akuzë nga shqiptarët për këtë përdorim të drejtësisë në funksion të së keqes dhe në funksion të mbulimit të aferave kriminale.
Dënimi i Salianjit dhe i Olldashit si dhe miratimi i të ashtu quajturës paketa “Anti-shpifje”, është luftë e humbur e Edi Ramës për të fshehur të vërteta, të cilat tashmë të gjithë shqiptarët i njohin dhe për të cilat do t’i japin atij shumë shpejt dënimin e merituar.