Vendosni fjalën kyçe....

“Dvorani s’publikoi 32 mbledhje, veproi i vetëm duke dalë mbi KED-në” – Meta publikon videon e dytë


Presidenti Meta ka publikuar materialin e dytë video ndaj kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani.

Në hyrje të materialit theksohet se Dvorani nuk ka asnjë kompetencë kushtetuese por është vetëm një anëtar i KED-së.

Sipas kreut të shtetit, Dvorani ka shkelur ligjin duke mos publikuar asnjë nga procesverbalet e 32 mbledhjeve të KED-së në faqen e Gjykatës së Lartë.

‘Kryetari i KED-së, Ardian Dvorani ka zero kompetencë në Kushtetutë. Kryetari i KED-së në raport me vendimmarrjen është vetëm një anëtar i KED-së dhe ka vetëm një votë. Edhe për botimin e vendimeve në faqen e Gjykatës së Lartë, shprehet vetëm KED-ja në çdo vendim të saj. Kryetari i KED-së është vetëm një përcjellës i vendimeve të KED-së. Detyra më e rëndësishme e kryetarit të KED-së, është publikimi i procesverbaleve të KED-së në faqen e Gjykatës së Lartë. Pikërisht edhe këtë detyrë kryetari i KED-së nuk e ka bërë që nga 15 janari 2019, pasi nuk janë publikuar në kundërshtim me ligjin 32 mbledhje radhazi.’ – thuhet në video.

Më tej kreu i shtetit thekson se KED-ja i ka shpallur vakancat sipas radhës Kushtetuese ndërsa Dvorani me nismën e tij i ka nisur ato duke e shkelur radhën e përcaktuar.

‘KED-ja i ka renditur vakancat sipas radhës kushtetuese: President, Kuvend, President, Kuvend dhe jo President, President, Kuvend, Kuvend. Vendimi i Dvoranit për t’i nisur njëherazi dy vakancat Presidentit dhe pas gjashtë ditësh dy vakancat njëherazi Kuvendit është lojë vetëm personale e tij dhe në kundërshtim të plotë me vendimmarrjen e KED-së që i ka miratuar vakancat në një ditë dhe sipas radhës Kushtetuese. Sa pse publikimi prej tij i Arta Vorpsit në Fletoren Zyrtare është dhunimi i Kushtetutës e Ligjit dhe një akt mashtrues. Vendimin e KED-së, të publikuar në 22 shtator 2019 në faqen e Gjykatës së Lartë, Dvorani e publikon në Fletoren Zyrtare në 9 nëntor 2019. Pika 2 sqaron, ky vendim publikohet në faqen e Gjykatës së Lartë. Zero mbledhje dhe vendim i KED-së për publikim në Fletoren Zyrtare. Zero mbledhje e KED-së dhe asnjë vendim i saj për të vlerësuar mekanizmin zhbllokues.’ – shpjegohet më tej në materialin video.

Në fund të videos thuhet se Dvorani është mbajtur në punë nga partia edhe pse kishte 6 vjet që i kishte mbaruar mandati 9-vjeçar dhe se me mbështetjen e saj ka dalë mbi vendimet e KED-së dhe ki ka marrë kompetencat kushtetuese presidentit.

‘Si shpjegohet që Dvorani shkel Kushtetutën, ligjin, del mbi vendimet e KED-së dhe i rrëmben kompetencat kushtetuese Presidentit? Sepse Dvorani nuk ndjek rrugën e Kushtetutës por rrugën e partisë. Partia e mbajti në detyrë 6 vjet përtej mandatit kushtetues 9-vjeçar. Mjaft me sundimin e partisë, vetëm sundim i Kushtetutës dhe i ligjit. Kushtetuta është ligji më i lartë në Republikën e Shqipërisë. Këtë e kanë vendosur shqiptarët me referendum më 22 nëntor 1998.’ – mbyllet video.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *