Gazetarët dhe aktivistët kanë nisur të mblidhen përpara Kuvendit, ku pritet të miratohen dy projektligjet e propozuara nga kryeministri Edi Rama për mediat.
Në një prononcim për “News 24”, kreu i Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Çipa, tha se edhe në rast se maxhoranca do t’i miratojë këto dy projektligje, do të vijojë qëndresa e tyre.
“Mënyra si është konceptuar ky draft është i gabuar. Në të, AMA ka brendinë e funksionimit të një agjencie censure. Drafti shpërfill gjithë mundësitë e kapaciteteve vetërregulluese. Problem tjetër është mënyra si do funksionohet mes AMA-s dhe AKEP, dhe janë një sërë aspektesh të tjera që lidhen me masat dhe penalitetet. Dhe në masën financiare këto penalitete janë drastike dhe të papërballueshme për mediat online që siç e dimë janë në pronësi të gazetarëve, dhe kapacitetet financiare të tyre janë të papërballueshme.
Ne do t’i konsumojmë të gjitha mundësitë tona, do t’i drejtohemi presidentit të Republikës për të mos e dekretuar, jemi në komunikim me ndërkombëtarët, siç e keni parë kemi patur reagime nga zonja Dunja Mijatović, kemi reagime nga eurodeputetë, përfaqësues të strukturave politikëbërëse të BE-së, që i bashkohet solidaritetit të organizatave më të rëndësishme ndërkombëtare të miedias, Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka kërkuargjithashtu anullimin e këtij drafti.”– tha Çipa.