Konfirmohet në detyrë drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Tonin Vocaj. Trupa që kreu vlerësimin e Vocajt përbëhej nga Ana Kapaj kryesuese, Elida Liko relatore dhe Elvira Daberdaku anëtare.
Në seancën dëgjimore që u zhvillua të mërkurën e kaluar, Komisioni identifikoi pamundësi të Vocajt për likujdimin e shumës 15 mijë euro të paguar në momentin e blerjes së një apartamenti me sipërfaqe 42.1 m2 në Golem të Kavajës në vitin 2006. Sipas KJV, edhe pse pronësia është fituar në vitin 2018, pagesa është kryer në vitin 2006. Relatorja Liko shpjegoi se si burim krijimi të kësaj pasurie Vocaj ka deklaruar një kredi në vlerën 600 mijë lekë dhe kursime nga pagat.
Përsa i përket kriterit tjetër të pastërtisë së figurës, Vocaj është marrë në pyetje lidhur me një foto ku shfaqej me shtetasin Arben Frroku, i cili është dënuar nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda për vrasjen e Komisarit Dritan Lamaj.
Por sipas Vocajt, fotoja ishte bërë para se të ndodhte vrasja. Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj e emëroi Tonin Vocajn Drejtor të Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit në vendin e Eduart Merkajt, në fillim të këtij viti. Vocaj u rikthye në një post drejtues pas largimit në 2013.
Më 9 tetor të vitit 2013, Tonin Vocaj asokohe me urdhër të ministrit të Brendshëm Tahiri u lirua nga drejtori i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj, nga pozicioni i drejtorit të Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Përgjithshme duke u emëruar specialist ne Sektorin e Studimeve Strategjike.
Në vitin 2013, qarkulluan disa foto ku Vocaj shihej në shoqërinë e Arben Frroku. Ai është vëllai i ish-deputetit Mark Frroku, i dënuar me burgim të përjetshëm.