Vendosni fjalën kyçe....

“Mesazhi im për Ramën është i thjeshtë dhe i qartë. I ke bërë llogaritë gabim” – Basha


Kreu i Partisë Demokratike ka denoncuar dënimin e Ervin Salianjit me 1 vit burg.

Kryedemokrati tha se vendimi i marrë ishte paracaktuar që në fillim dhe u dha në seancën e sotme nga ushtari i Bandës së Lushnjës.  Ai tha se PD-ja nuk do ndalej deri në largimin e pushtetit të korruptuar të kryeministrit Rama.

‘Edi Rama ka hedhur sot në erë dy prej kolonave kryesore të demokracisë në Shqipëri. Sot, ai dënoi me vendim gjykate, pa asnjë provë, opozitën dhe median që zbuluan dhe denoncuan përshirjen në trafikun e drogës të vëllait të Ministrit të brendshëm të Edi Ramës.  Po sot, Edi Rama miraton ligjin që synon t’i mbyllë gojën medias online për të mos denoncuar aferat e rënda korruptive të tij dhe të familjes së tij, afera që fusin dorën në xhepat e shqiptarëve për t’i vjedhur ata, në mënyrë që të pasurojnë Edi Ramën. Për pothuajse të gjithë përfaqësuesit politikë të Partisë Demokratike, drejtësia e kapur ka vendosur sipas urdhërit dhe interesit politik të Edi Ramës, duke u bërë palë me këtë pushtet të kriminalizuar dhe të korruptuar. A na e ka mbyllur gojën Rama me kriminelët e tij në polici, prokurori e gjykata. Jo. Ne jemi Partia Demokratike e Shqipërisë. PD është në krahun e çdo qytetari, gazetari, korrupsionin dhe lidhjet e Ramës, familjes së tij dhe qeverisë se tij me krimin e organizuar’. – tha Basha.

Më tej Basha shtoi se Partia Demokratike gëzon besimin e shumicës dërrmuese të shqiptarëve dhe bashkë me ta do mundësonte largimin e kryeministrit që sundon vendin me një grusht kriminelësh e oligarkësh.

‘Ne jemi Partia Demokratike! Ne jemi sot partia që gëzon besimin e shumicës dërrmuese të shqiptarëve. Bashkë me ta, do të bëjmë të mundur që, me zgjedhje të lira e të ndershme, të shpëtojmë vendin nga një kryeministër që sundon me një grusht kriminelësh dhe oligarkësh. Partia Demokratike është dhe do të jetë në krahun e çdo gazetari, në krahun e çdo qytetari, që denoncon padrejtësinë, korrupsionin dhe lidhjet e Edi Ramës, familjes apo qeverisë së tij me krimin e organizuar. Mesazhi im për Edi Ramën është i thjeshtë dhe i qartë: I ke bërë llogaritë gabim.’, mbylli Basha deklaratën.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *