Parlamenti Evropian i kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit maltez, Joseph Muscat duke theksuar se qëndrimi i tij në pushtet rrezikon të kompromentojë hetimin për vrasjen e gazetares, Daphne Caruana Galizia, në një rezolutë të miratuar sot.
“Parlamenti nënvizoi se duhet bërë çdo përpjekje për të përjashtuar çdo rrezik, real apo të supozuar, për kompromentimin e hetimit duke shtuar se rreziku ekziston për aq kohë sa kryeministri mbetet në funksion”, thekson rezoluta, që nuk ka asnjë vlerë detyruese.
Edhe dje, e djathta europiane në Parlamentin Europian kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit maltez, Joseph Muscat, gjatë një debati në Strasburg mbi vrasjen në vitin 2017 të gazetares investigative, Daphne Caruana Galizia.
Kjo çështje, në të cilën u cituan emrat e zyrtarëve të lartë të shtetit maltez, një ministër dhe shefi i kabinetit të Muscat, ka dobësuar pushtetin deri aty sa të detyrojë Muscat, kreun e qeverisë laburiste, në pushtet që prej vitit 2013, të japë dorëheqjen nga funksionet e tij më 12 janar.
“Ju drejtohem drejtpërdrejt, Muscat, çdo ditë që ju qëndroni në pushtet është një turp për demokracinë”, theksoi me tone të larta spanjolli, Esteban Gonzalez Pons, nga grupi i PPE-së, grupi kryesor politik në Parlamentin Europian.
Lideri i PPE-së, gjermani, Manfred Weber kërkoi që Muscat të japë dorëheqjen e menjëhershme dhe akuzoi grupin S&D, të cilit i përket Partia Laburiste e kryeministrit maltez.
Eurodeputetja malteze, Miriam Dalli e grupit S&D theksoi se do të ishte kundërproduktive që Parlamenti të jepte gjykime të nxituara që mund të dëmtonin hetimet.