Vendosni fjalën kyçe....

Rama i përgjigjet kritikave nga BE-ja: Ju s’e keni lexuar fare ligjin


Në seancën e sotme në Parlament, kryeministri Edi Rama u ktheu përgjigje organizatave ndërkombëtarëve, kritikave nga eurodeputetë, komisionerë e përfaqësues të Parlamentit Europian lidhur me dy projektligjet për mediat që kërkon të miratojë. Sipas tij, ata nuk i kanë lexuar fare dy projektligjet e tij.

“Le të kthehemi te përmbajtja…

Kjo është një paketë e cila është konsultuar një vit rresht, kam patur konsultime edhe me përfaqësues në BE dhe u kam thënë se: ‘Ju nuk e keni lexuar ligjin për të cilin po flisni. Jeni në presionin e organizatave të rreme. E ka dhe Mero një organizatë që e përdor për të ngritur ndonjë çështje, sepse e di shumë mirë se kur ata andej shohin se organizatat po ankohen këtu, pak rëndësi ka kush është organizata por hidhen menjëherë në mbrojtje të lirisë.  Apo si ata që dalin tek Rai3 dhe flasin për burgjet që janë mbushur me gazetarë, për censurën dhe hatanë që bëhet këtu.Këtu të censuruar janë ata që kanë të drejtë dhe s’kanë asnjë kapacitet mbrojtës.”, tha Rama.

Vetëm pak më herët, David Lega, reporteri i Parlamentit Europian për Shqipërinë nga grupi parlamentar PPE, paralajmëroi Ramën se nuk do të ketë hapje negociatash me Bashkimin Europian, nëse miraton dy projektligjet e propozuara, të cilat do kufizojnë lirinë e medias në vend.

Rama ka dhënë argumentet e tij se përse po i vesh AMA-s kompetenca gjyqësore, kritika kryesore për të cilën po protestojnë sot gazetarët.

“Ju paguajnë nën dorë për të hequr lajmin se qumështi është i helmuar, se domatet janë me hormone etj etj etj. Qytetarët nuk kanë kohë në formën që duhet të presin siç pres unë me shumë durim gjyqet, ndërkohë që një lajm i tillë u shkatërron biznesin dhe kur të mbarojë gjyqi biznesi i tyre mund të ketë falimentuar. E si do mbrohen ata?”– ishte shpjegimi i Ramës.

Ai vijoi më tej duke thënë se “AMA nuk zëvendëson gjykatën, ajo është instanca ku konkludohet, por gjykata dhe vetëm gjykata jo, AMA gjykon çështjet kur ngrihet problemi i shpifjes. Por kur dëgjoni miqtë, atëhere flet kot.”/Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *