Ish-deputeti Ervin Salianji ka deklaruar se e kanë kërcënuar persona të lidhur me krimin për të mos publikuar përgjimin e të pretenduarit “Agron Xhafaj-Albert Veliu” për të cilin u dënua sot nga gjykata me 1 vit burg për kallzim të rremë.
Salianji deklaroi se kërcënimi ndaj tij është bërë disa ditë para se të publikonte përgjimin nga persona që sipas tij ishin të lidhur me krimin.
“Para se të publikonim përgjimin bandat e Xhafajve kanë ardhur dhe më kanë kërcënuar ose joshur për të mos e shfaqur materialin për publikun. 3 ditë para se ta publikonim ne iu drejtuam me pyetje për çështjen dhe ata menduan se çështja kishte diçka, dhe persona të malavitës dërguan letra kërcënuese apo joshëse për të mos shfaqur përgjimin”-deklaroi Salianji në emisionin “Opinion” në TV Klan.