Sanksionet e fundit amerikane që synojnë gazsjellësin rus ‘Nord Stream 2’, i cili do i japë gaz natyror Gjermanisë, nuk do e ndalojnë projektin, tha të mërkurën sekretari i shtypit presidencial, Dmitry Peskov.
‘Ne supozojmë se Nord Stream 2 do të përfundojë,’ u tha ai gazetarëve kur u pyet nëse sanksionet e mundshme të Uashingtonit mund të çonin në pezullimin e ndërtimeve.
Komente të Peskov pasuan miratimin e një projektligji nga Senati Amerikan, i cili do sanksionojë kompanitë e përfshira në ndërtimin e ‘Nord Stream 2’. Ligji pitet të nënshkruhet nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump më vonë këtë javë.
Në pritje të miratimit të Shtëpisë së Bardhë, kompanitë që punojnë në projektin ‘Nord Stream 2’ do të kenë 30 ditë për të ndaluar punën. Sanksionet çojnë në revokimin e vizave amerikane dhe bllokimin e pronës së individëve të përfshirë.
Kompanitë evropiane të përfshira në këtë projekt përfshijnë firmat gjermane të energjisë ‘Ëintershall’ dhe ‘Uniper’, kompaninë shumëkombëshe franceze, ‘Angie’, gjigantin britanik-holandez të naftës dhe gazit ‘Royal Dutch Shell’ dhe kompaninë austriake të energjisë ‘OMV’.
Zëdhënësi i Kremlinit i quajti sanksionet e mundshme ‘një shkelje të drejtpërdrejtë të ligjit ndërkombëtar’ dhe ‘një shembull ideal të konkurrencës së padrejtë dhe përhapjes së mbizotërimit të tyre artificial në tregjet evropiane’.
Ai tha se Uashingtoni ‘po u imponon konsumatorëve evropianë produkte më të shtrenjtë dhe jo konkurrues’.
Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, i ka bërë thirrje SHBA-së të mos përzihet në politikën e energjisë evropiane, duke shkruar në Tëitter: ‘Politika energjetike evropiane është vendosur në Evropë, jo në SHBA’.
Dhoma e Tregtisë gjermano-ruse tha javën e kaluar se tubacioni është thelbësor për sigurinë energjetike evropiane dhe bëri thirrje për sanksione hakmarrëse ndaj Shteteve të Bashkuara.
‘Nord Stream 2’, i cili shkon nga bregu balltik i Rusisë në Gjermani, do të dërgojë 55 miliardë metra kub gaz natyror në vit për klientët evropianë. Ai është planifikuar të fillojë operimin në mes të vitit të ardhshëm.
Të gjitha vendet përgjatë gjurmës së gazsjellësit – Rusia, Finlanda, Suedia, Danimarka dhe Gjermania – e kanë miratuar tashmë projektin.
Me më shumë se 50 përqind të furnizimeve me gaz rus në BE që rrjedhin tradicionalisht përmes Ukrainës, ‘Nord Stream 2’, që është zgjatja e tubacionit të gazit ‘Nord Stream’, është ndërtuar si një rrugë plotësuese për të garantuar furnizime të qëndrueshme në Evropë.