Sot pritet që Parlamenti të miratojë të ashtuquajturën “Paketë Antishpifje” të kryeministrit Edi Rama, e cila përfshin dy projektligje për median në vend.
Gazetarë, qytetarë e aktivistë, pritet të protestojnë sot rreth orës 09:00 para Kuvendit për t’i kërkuar deputetëve të mos i miratojnë dy projektligjet e propozuara.
Këshilli Shqiptar i Medias u ka bërë thirrje gazetarëve që në rrjetet sociale sot të përdorin #MOSnaPREKfjalën si formë solidarizimi, ndërsa simboli i protestës është shalli i zi lidhur mbi gojë.
Protestuesit do të vënë këto shalle mbi gojë si për të treguar se dy projektligjet në fjalë i cënojnë atyre të drejtat për fjalën e lirë.
Organizatat e shoqërisë civile shqiptare të të drejtave të njeriut dhe organizatat përfaqësuese të gazetarëve kanë theksuar se kërkesat e tyre në lidhje me të ashtuquajturën “paketë anti-shpifje” janë tërësisht të përputhura me qëndrimet e Komisionit Europian dhe Komisioneres Mijatovic si më poshtë:
–Nuk mund të ketë regjim rregullimi administrativ për median online, por regjime të tilla janë të pranueshme por jo të detyrueshme vetëm për median audiovizuale;
-Një institucion administrativ si AMA nuk mund të zëvendësojë gjykatat në shqyrtimin e ankesave ndaj përmbajtjes së një publikimi;
Përmes një deklarate të përbashkët, organizatat theksojnë se në rast se shumica parlamentare do të votojë në kundërshtim të kërkesave të Komisionit Europian këto projektligje, beteja e tyre do të vijojë deri në rrëzimin e plotë të tyre./Hashtag.al