Vendosni fjalën kyçe....

A po përdorin socialistët vëzhguesin e ONM-së kundër Hajdarmatajt, prokurorit ‘armik nr. 1’ të tyre


Para pak ditësh, një nga përfaqësuesit e ONM-së i ka rekomanduar Komisionerit Publik të apelojë vendimin e KPK-së për konfirmimin në detyrë të prokurorit të krimeve të rënda Besim Hajdarmataj.

Është një rekomandim i dyshimtë, ku argumentat ligjore janë zëvendësuar me opinione të ngarkuara me terma emocionalë dhe ku vendoset një tjetër standard në praktikën e ONM-së nga ai i zbatuar deri tani.

Besim Hajdarmataj është prokurori “armik numër 1” i qeverisë së Edi Ramës. Gjatë gjashtë viteve të fundit, të vetmet hetime ndaj politikanëve të lartë dhe figurave të krimit, përfshi disa të akuzuara për lidhje me qeverinë, janë filluar gjatë kohës kur Prokuroria e Krimeve të Rënda drejtohej prej tij, shkurt 2016 – maj 2018. Saimir Tahiri, Emiljano Shullazi, kokaina e bananeve, grupi i Avdulajve, dosja e famshme 339 e zgjedhjeve në Durrës dhe ajo 184 e zgjedhjeve në Dibër—janë vetëm disa nga hetimet e nisura prej tij.

Për pasojë, ai është sulmuar direkt nga Kryeministri Rama dhe funksionarë të tjerë të lartë socialist duke e akuzuar si prokuror politik, veçanërisht për hapjen e hetimeve dhe kërkesën për arrestimin e Tahirit dhe për dosjen 339 të vjedhjes së votave në Durrës.

Prandaj nuk ishte e papritur kur, pasi u katapultua nga socialistët në krye të prokurorisë, Arta Marku e shkarkoi paligjshmërisht Besim Hajdarmatajn, duke e zëvendësuar me shoqen e saj Donika Prela. Pak muaj pas shkarkimit, Marku e largoi Hajdarmatajn edhe nga Krimet e Rënda dhe e transferoi në Pogradec, duke e hequr kështu edhe nga hetimi i Tahirit. (Gjykata dhe KLP e anulluan më vonë si të paligjshëm këtë transferim.) Pas largimit të Hajdarmatajt, hetimet ndaj Tahirit u minuan gradualisht duke çuar në dënimin e tij vetëm për shpërdorim detyre.

Hajdarmataj iu nënshtrua procesit të vetingut gjatë vitit 2018-2019, në një hetim të pazakontë, ndoshta më i gjati dhe më rigorozi i kryer ndonjëherë nga KPK-ja. Ai u rivlerësua për të tre kriteret, pasurinë, figurën dhe aftësinë profesionale, dhe i kaloi ato me sukses. Gjatë hetimit, KPK shqyrtoi edhe 14 denoncime anonime të bëra ndaj tij, të cilat i gjeti të gjitha të pabaza.

Hetimi ndaj Hajdarmatajt u mbyll në prill 2019—sipas procedurës, KPK ia njoftoi Hajdarmatajt rezultatet e hetimit, të gjitha të favorshme. Por në mënyrë të papritur, më 9 prill KPK deklaroi se kishte marrë tre denoncime të reja anonime kundër tij, dhe do të rihapte hetimet. Hetimet shtesë zgjatën, në mënyrë të paprecedentë, edhe pesë muaj të tjerë dhe u mbyllën në tetor 2019.

Shumë magjistratë janë vlerësuar vetëm për pasurinë, ose në çdo rast vetëm përciptas për dy aspektet e tjera, por nën presionin politik të qeverisë, Hajdarmataj iu nënshtrua një hetimi të thelluar në çdo aspekt, përfshi hetimin e thelluar të ankesave anonime pa ndonjë bazë të dukshme.

Në përfundim, KPK u detyrua të rikonfirmojë në detyrë Besim Hajdarmatajn në tetor 2019.

Duket se ata që nuk e rrëzuan përmes denoncimeve anonime në KPK, nuk duan ta lënë me kaq. Por të vetëdijshëm për ekspozimin e tyre politik në sulmet ndaj Hajdarmatajt, ata kanë zgjedhur të përdorin një institucion, në dukje, të pavarur dhe objektiv, pra të besueshëm për ta çuar rivlerësimin në KPA—ONM-në, një institucion pa transparencë, pa llogaridhënie dhe objektivitet të dyshimtë, i cili ka dështuar në mënyrë spektakolare në garantimin e integritetit të procesit të vetingut duke lejuar spastrimin politik të gjyqësorit.

Vëzhguesi italian Ferdinando Buatier de Mongeot i ONM-së, u kritikua ashpër pak muaj më parë nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe nga analistë publikë për lëshimin e një opinion publik kundër një vendimi të KPA-së, në tejkalim total të statusit të tij dhe në shkelje flagrante të Kushtetutës së Shqipërisë. Tani ai ka lëshuar sërish një opinion të dyshimtë që rekomandon apelimin e vendimit pozitiv të KPK-së për Hajdarmatajn, bazuar vetëm në denoncimet anonime që u rrëzuan nga KPK pas pesë muaj hetimesh.
Rekomandimi dëshmon mosnjohje të legjislacionit shqiptar dhe është përpjekje për ta shtrirë objektin e verifikimit përtej kërkesave kushtetuese dhe ligjore. Rekomandimi ngjan me një opinion subjektiv, pa argumenta dhe fakte bindëse.

Kështu për shembull, duke qenë se KPK nuk gjeti parregullsi në deklarimet financiare dhe duke qenë se prokurori ka pasuri modeste, vëzhguesi kërkon rivlerësimin e pasurisë pasi nuk i besohet që subjekti mund të ketë kaq pak pasuri.

Vetë Ferdinando Buatier de Mongeot paguhet 15 mijë euro rrogë në muaj plus privilegje të tjera—deri tani ka marrë më shumë se gjysëm milionë euro për punën në Shqipëri—prandaj ndoshta atij i duket cinike që një prokuror shqiptar mund të jetojë në kushte modeste. Domethënëse është se në seancën dëgjimore, ai nuk ngriti asnjë shqetësim për këtë aspekt të verifikimit.

Rekomandimi bazohet gjithashtu në katër raste denomcimesh anonime, që siç u theksua, në tre prej tyre Hajdarmataj ka qenë drejtues i prokurorisë, por jo prokuror i çështjes dhe vetëm në një rast ka qenë prokuror i çështjes. Buatier de Mongeot kundërshton vendimin e KPK-së për këto raste duke u rrekur të veshë me përgjegjësi Hajdarmatajn si drejtues.

Është qendrim me standard të dyfishtë dhe tendencioz për dy arsye.

Së pari, për tre nga këto çështje prokurorët e çështjes e kanë kaluar vetingun dhe madje dy prej tyre janë anëtarë të SPAK. Nëse ka patur probleme në hetimin e këtyre çështjeve duhet të ishin mbajtur përgjegjës prokurorët e çështjes dhe, ndoshta, pastaj shefi i tyre. Ata nuk janë mbajtur përgjegjës, madje u janë dhënë përgjegjësi të jashtëzakoshme si anëtarë të SPAK-ut. Nuk dihet si mund ta shpjegojë Buatier de Mongeot këtë kontraditë.

Së dyti, standardi i vlerësimit për aftësitë drejtuese-menaxheriale, jo thjesht për aftësinë profesionale nuk është aplikuar në rastet e mëparshme të vetingut. KPK e vlerësoi shkëlqyeshëm përgatitjen profesionale të Hajdarmatajt dhe ka mbajtur qendrimin ligjor dhe kushtetues se vlerësimi i profesionalizmit nuk përfshin anën drejtuese-menaxheriale.

Ky standard është përdorur në të gjitha vlerësimet e mëparshme. Mjafton të shqyrtosh rastin e dy drejtueseve Arta Marku dhe Donika Prela.

Arta Marku ndërmori veprime antiligjore dhe antikueshtetues si drejtuese e prokurorisë, disa prej  të cilave u rrëzuan nga gjykata dhe nga KLP-ja, por ajo nuk u vlerësua për këto aspekte të punës së saj. Madje, përfaqësuesi i ONM-së i cili u shpreh publikisht në seancën dëgjimore se Arta Marku kishte treguar mungesë lidershipi, dhe mungesë aftësie profesionale në një çështje hetimore, por nuk lëshoi asnjë rekomandim për apelimin e vendimit të KPK-së, i cili nuk u apelua kurrë.

Arta Marku nuk u gjykua as për rastin kur pas emërimit pa short nga Donika Prela të prokurorëve të çështjes Shullazi, ajo vendosi dënimin e tyre me transferim nga Krimet e Rënda në prokuroritë e rretheve, edhe pse këto raste u hodhën poshtë nga gjykata si të paligjshme. Ironikisht një nga rastet që vëzhguesi i ONM-së kërkon apelimin në KPA të Hadarmatajt është transferimi prej tij i një prokurori nga Tirana në Elbasan.

Arta Marku lejoi ekstradimin e paligjshëm në Itali të Nazer Seitit të bandës së Habiljave, veprim për të cilin janë hapur hetime penale, por as ky rast nuk u vlerësua kurrë gjatë vetingut të Markut dhe as të Prelës.

Në rastin e Donika Prelës, pavarësisht qendrimit të ashpër publik në seancë kundër saj, vëzhguesi i ONM-së nuk lëshoi asnjë rekomandim për apelimin e vendimit konfirmues të KPK-së, çfarë ngjalli habi në publik.

Gjatë kohës që Donika Prela drejtonte prokurorinë re Durrësit, ajo u vodh dy herë, një herë u vodhën dosje hetimore dhe një herë tjetër server e një zyrë prokurori. Edhe pse Prela ishte përgjegjëse për garantimin e sigurisë së institucionit, ajo nuk mbajti asnjë përgjegjësi për këtë gjë, dhe ky aspekt nuk u vlerësua gjatë vetingut të saj.

Përdorimi i një standardi jokushtetues dhe të paprecedent në procesin e vetingut në rastin e Hajdarmatajt mund të ketë çfarëdo motivimi, por nuk është e paarësyeshme të mendohet se një nga motivet mund të jetë shërbimi ndaj interesave politike të shumicës socialiste.

Edhe pse Ferdinando Buatier de Mongeot nuk mund të akuzohet për asgjë, nuk është tregues pozitiv për të fakti se ai erdhi në Tiranë pas përvojës si gjyqtar i EULEX-it në Kosovë, gjatë një periudhe kur EULEX u përfshi në skandale korrupsioni të cialt ishin faktorë në  dështimin e këtij institucioni.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Exit.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *