Vendosni fjalën kyçe....

Betimi i prokurorëve të SPAK-ut, komenton Ambasada Amerikane dhe Luigi Soreca: Nis një epokë e re


Pas ceremonisë së betimit të tetë prokurorëve të parë të SPAK në Presidencë, kanë ardhur reagimet e para nga Ambasada e SHBA-ve dhe ambasadori i BE-së Luigi Soreca.

Ky i fundit e konsideron ngritjen e SPAK si një hap mjaft të rëndësishëm në zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar.

“Ne mirëpresim betimin e sotëm të tetë prokurorëve të SPAK përpara presidentit. Ata janë gati të nisin punën. Ky është një tjetër hap i rëndësishëm në zbatimin e reformës në drejtësi. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është prioriteti kryesor për Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian”, ka shkruar Luigi Soreca, i cili ishte i pranishëm në ceremoninë e zhvilluar pa praninë e kamerave.

Ambasada e SHBA-ve gjithashtu e përshëndet betimin e prokurorëve të rinj të SPAK-ut dhe thotë se tani nis një fazë e re për drejtësinë shqiptare.

“Shtetet e Bashkuara përgëzojnë tetë prokurorët të cilët u betuan këtë mëngjes si anëtarët e parë të Zyrës së Prokurorisë së Posaçme, duke shënuar një hap të rëndësishëm në themelimin e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion dhe Krim i Organizuar (SPAK). Nga dita e sotme, Shqipëria ka një organ prokurorësh të angazhuar për të identifikuar, hetuar dhe vënë përpara drejtësisë zyrtarë të kaluar apo aktualë dhe bosë të krimit – individë që në kohët e vjetra janë konsideruar si të paprekshëm.

Ndërsa Shqipëria nis një fazë të re të zhvillimit të saj demokratik dhe ligjor, Shtetet e Bashkuara do të mbeten një partner i palëkundur në mbështetje të SPAK dhe të të gjithë atyre që kërkojnë ti japin fund pandëshkueshmërisë dhe të sjellin drejtësi për popullin shqiptar”, shkruan Ambasada e SHBA-ve, e cila gjithashtu kishte përfaqësuesin e saj në ceremoni.

Duke nisur nga dita e premte automatikisht Gjykata dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda, do të pushojnë së funksionuari për t’i lënë vendit Prokurorisë dhe Gjykatës Antikorrupsion.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *