Vendosni fjalën kyçe....

Erdogan paralajmëron për një valë të re refugjatësh nga Siria


Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan paralajmëroi për një valë të re refugjatësh që mund të hyjnë në Turqi nga Siria, për shkak të sulmeve ajrore që po kryejnë forcat qeveritare atje, kundër objektivave rebele në provincën Idlib.

Në kushtet kur forcat ruse mbështesin sulmin, Ankaraja e Moska mund të përballen me një kërcënim serioz për marrëdhëniet mes tyre, të ngrohura së fundmi.”Aktualisht ka 50 mijë persona që mund të vijnë në territorin tonë nga Idlib-i.

Kemi pritur 4 milionë vetë të cilëve do t’i shtohen edhe këta 50 mijë që po vijnë. Ndoshta kjo shifër do të rritet edhe më shumë”, tha zoti Erdogan të enjten në takimin e udhëheqësve ttë botës myslimane që mbahet në Kuala Lumpur.

Presidenti turk nuk dha detaje nëse refugjatët kishin mbërritur ose jo në kufirin turk. Provinca Idlib në Siri është zona e fundit kryesore e kontrolluar nga rebelët. Besohet se rreth 3 milionë vetë ndodhen të bllokuar në këtë enklavë që kufizon Turqinë.

Eksodi më i fundit i refugjatëve u nxit nga bombardimet intensive udhëhequr nga Damasku dhe mbështetur nga forcat ajrore ruse. Sipas zyrtarëve turq rreth 200 mijë refugjatë që i kanë shpëtuar sulmit të mëparshëm të qeverisë siriane ndodhen në një kamp pranë kufirit me Turqinë.

“Kriza e Idlib-it nuk është vetëm problem i Turqisë, por edhe problem për sigurinë e Bashkimit Evropian”, tha Mesut Casin, këshilltar për Politikën e Jashtme i presidentit Erdogan, shkruan VOA.

Zoti Erdogan ripërsëriti gjithashtu kritikën e tij ndaj bashkësisë ndërkombëtare. “Kemi shpenzuar mbi 40 miliardë dollarë. Nuk ka mbështetje serioze nga Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët dhe as Bashkimi Evropian nuk po i përmbush premtimet që ka dhënë. Askush nuk po e mban fjalën!”, tha ai.

Analistët thonë se presidenti turk po kërkon me dëshpërim të shmangë një eksod tjetër refugjatësh. “Ai është përballur me pasojat e mbajtjes së një numri të shumë të madh refugjatësh në Turqi”, thotë profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare Serhat Guvenc, i universitetit Kadir Has në Stamboll.

Zoti Guvenc paralajmëron se një valë e re e refugjatëve mund të kalonte në Evropë.”Erdogan mund të kërcënojë për hapje të kufijve me Evropën. Ai e paralajmëruar vazhdimisht këtë gjë, duke e mbajtur mbi kokën e BE-së si shpatën e Demokleut”, u shpreh eksperti turk Serhat Guvenc.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *