Vendosni fjalën kyçe....

PD përshëndet ngritjen e SPAK-ut: Koha që prokurorët t’i japin fund pandëshkueshmërisë


Partia Demokratike ka reaguar përmes një deklarate për ngritjen e Stukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), pasi tetë prokurorët u betuan sot para presidentit Ilir Meta.

PD thotë se përshëndet fillimin e punës së kësaj strukture dhe e konsideron si një shans për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.

“Partia Demokratike përshendet fillimin e punës së SPAK-ut dhe mbështet funksionimin e pavarur të kësaj strukture.  Fillimi menjëherë nga puna dhe ndëshkimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit duhet të bëhet në mënyrë profesionale, të paanshme dhe të vendosur.

Partia Demokratike, e cila ka miratuar ligjin për ngritjen e SPAK dhe të Byrosë Kombëtare të Hetimit, ka vullnetin për t’i dhënë besim dhe për të mos paragjykuar asnjë prej prokurorëve në përbërje të kësaj strukture, pavarësisht vendimeve të disa prej tyre, në të shkuarën.

Është koha që prokurorët të ngrihen në lartësinë e detyrës dhe të përmbushin pritshmërinë e qytetarëve shqiptarë për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së krimit të organizuar, promovuesve të kriminelëve në politikë dhe zyrtarëve të korruptuar.    

Shqipëria ka një shans të ri dhe real për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivelet më të larta, nga kriminelët me mbështetje qeveritare, tek politikanët dhe zyrtarët e lartë. “– thuhet në njoftimin e PD-së.

Në fund PD ka edhe një mesazh falenderues për Ambasadën Amerikane: “Partia Demokratike falenderon Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ndihmën e dhënë deri më tani për bërjen funksionale të SPAK dhe për gatishmërinë e treguar për të vijuar mbështetjen për funksionimin e pavarur të SPAK.”

Tetë prokurorët e zgjedhur të SPAK bënë sot betimin te Presidenti Ilir Meta rreth orës 09:30. Me nisjen e SPAK shkrihen Gjykta dhe Prokuroria për Krimet e Rënda, që duke nisur nga dita e premte automatikisht do të pushojnë së funksionuari.

Kreu i SPAK-ut pritet të zgjidhet sot nga KLP. Tre kandidatët janë Altin Dumani, Arben Kraja dhe Edvin Kondili.

Tetë prokurorët që bënë betimin

1-Altin Dumani, prokuror në Prokurorinë e Apelit Tiranë

2-Arben Kraja, prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme

3-Behar Dibra, prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda

4-Edvin Kondilli, prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda

5-Elida Celami(Kaçkini), prokurore në Prokurorinë e Tiranës

6-Ened Nakuçi, prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda

7-Enkeleda Millonai, prokurore në Prokurorinë e Elbasanit

8-Klodian Braho, prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *