Fiat dhe Peugeot ranë dakord këtë javë për shkrirjen prej 50 miliardë dollarë, që do të krijojë prodhuesin e katërt më të madh në botë të makinave.
Dy kompanitë, që nuk kanë vendosur ende mbi një emër për firmën e re, lajmëruan planet e shkrirjes 6 javë më parë. Prodhuesit e makinave po përballen me një rënie botërore të kërkesës, si dhe kosto të mëdha për të zhvilluar modele më të pastra dhe automjete elektrike.
Shkrirja mes Fiat Chrysler dhe grupit PSA synon të reduktojë kostot prej 3.7 miliardë euro në vit, duke bashkuar teknologjitë dhe nëpërmjet marrëveshjeve të përbashkëta të blerjes. Shkrirja pritet të përfundojë në 12-15 muajt e fundit, sipas deklaratës së kompanive.
Përpara se marrëveshja 50-50 të përfundojë, një prej aksionerëve të Peugeot, firma kineze Dongfeng, do të shkurtojë zotërimin prej 12.2% tek prodhuesi francez, duke shitur 30.7 milionë aksione mbrapsht tek Peugeot. Kjo përqindje ka një vlerë prej 679 milionë euro dhe Dongfeng do të vazhdojë të mbajë 4.5% tek grupi i ri.
Peugeot dhe Fiat konfirmuan se kompania e re do të ketë një bord prej 11 anëtarësh, ku 5 do të zgjidhen nga Peugeot dhe 5 të tjerë nga Fiat. Shefi i Peugeot, Carlos Tavares, do të jetë ekzekutivi i kompanisë së re për një mandat 5-vjeçar.