Vendosni fjalën kyçe....

Shkrihen Krimet e Rënda, tetë prokurorët e SPAK-ut betohen te Meta (FOTO)


Tetë prokurorët e zgjedhur të SPAK kanë bërë sot betimin te President Ilir Meta. Ceremonia e betimit ka nisur në orën 09:30 në Presidencë.

Kështu, duke nisur nga dita e premte automatikisht do të shkrihen Gjykata dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda, të cilat do të pushojnë së funksionuari për t’i lënë vendit Prokurorisë dhe Gjykatës Antikorrupsion. I pranishëm në ceremoni ishte dhe kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi.

“Në Institucionin e Kryetarit të Shtetit u zhvillua sot ceremonia solemne e betimit para Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, të tetë anëtarëve të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar: znj. Elida Kaçkini, znj. Enkeleda Millonaj, z. Edvin Kondili, z. Behar Dibra, z. Arben Kraja, z. Klodian Braho, z. Ened Nakuçi dhe z. Altin Dumani.

Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të vendimeve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke vendosur dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë, prokurorët u betuan para Presidentit Meta: “Betohem solemnisht se gjatë kryerjes së detyrës do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë, ligjeve në fuqi dhe do të respektoj rregullat e etikës profesionale!”

Presidenti i Republikës u uroi suksese dhe punë të mbarë prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Në ceremoni e betimit ishin të pranishëm edhe Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, Avokati i Popullit Erinda Ballanca, Anëtarja e Gjykatës Kushtetues Vitore Tusha, Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor Naureda Llagami, Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian, Luigi Soreca, përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të OPDAT-it, misionit EURALIUS V dhe anëtarët e KLP-së.”- thuhet në njoftimin e presidencës.

Me ceremoninë e sotme të betimit, Meta hedh poshtë pretendimet e maxhorancës se presidenti do të bllokonte krijimin e SPAK-ut.

SPAK do të nisë me 8 anëtarë, por ai që do të zgjidhet si kreu i kësaj strukture do të ketë të drejtën të kërkojë komandimin e prokurorëve të tjerë të përkohshëm deri në emërimin e prokurorëve të përzgjedhur të cilët duhet t’i kalojnë të dyja shkallët e hetimit.

Kreu i SPAK-ut pritet të zgjidhet sot nga KLP. Tre kandidatët janë Altin Dumani, Arben Kraja dhe Edvin Kondili.

Tetë prokurorët që bënë betimin

1-Altin Dumani, prokuror në Prokurorinë e Apelit Tiranë

2-Arben Kraja, prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme

3-Behar Dibra, prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda

4-Edvin Kondilli, prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda

5-Elida Celami(Kaçkini), prokurore në Prokurorinë e Tiranës

6-Ened Nakuçi, prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda

7-Enkeleda Millonai, prokurore në Prokurorinë e Elbasanit

8-Klodian Braho, prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *