Demokratja e Hawaiit, Tulsi Gabbard doli nga radhët e partisë së saj dhe votoi “prezent” *e vlefshme me abstenim) për të dyja akuzat ndaj Trump, në vend që të votonte me “PO” ose “JO”.
Me këtë gjest, Gabbard u bë e vetmja kongresmene dhe kandidate për presidente që del kundra rrymës së partisë së saj duke mos votuar për shkarkimin e Trump. Sipas saj ky proces ishte me prapavijë politike, pavarësisht se ajo tha se beson se Trump vërtet ka gabuar.
“Unë nuk munda që me ndërgjegje të votoja për gjykimin e Trump sepse shkarkimi i një Presidenti në detyrë nuk duhet të jetë kulmimi i një procesi partizan, i nxitur nga armiqësitë fisnore që kanë ndarë kaq ashpërsisht vendin tonë”- tha Gabbard në një deklaratë pas votimit në Dhomën e Përfaqësuesve.
“Vota ime sot është një votë për pajtim aq shumë të nevojshëm dhe shpresoj se së bashku mund ta shërojmë vendin tonë. Le të punojmë së bashku-për-krah, duke kërkuar terren të përbashkët për të sjellë një të ardhme të ndritshme.”– vazhdoi ajo.
Megjithëse Gabbard tha se presidenti Donald Trump ka shkelur besimin e publikut përmes parregullsive dhe abuzimeve të panumërta, sipas saj procesi për shkarkimin e tij vetëm sa po krijonte më shumë fragmentim dhe polaritet, të cilat sipas saj tani po ndajnë vendin.
Në mbështetësit e partisë së saj pati mjaft reagime negative për qëndrimin e Gabbard, por pati edhe nga ata që e konsideronin si një qëndrim të guximshëm kundër establishmentit demokratik.