Pushohet çështja kundër personave të akuzuar si pjesëtarë të një organizate terroriste që kishte si qëllim të kryente një sulm në ndeshjen Shqipëri-Izrael në 2016-ën.
Tre vite i janë dashur Prokurorisë së Krimeve të Rënda për të vërtetuar se akuzat e ngritura ndaj 33-vjeçarit Ergys Falia dhe personave të tjerë kanë qenë të pabaza ligjërisht.
Në ditën e fundit që Prokuroria është funksionale, Donika Prela ka lajmëruar se çështja kundër personave të arrestuar në nëntorin e 2017-ës në qytetin e Shkodrës u pushua.
Falia dhe persona të tjerë u akuzuan nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për “Vepra me qëllime terroriste”, “Kanosja për kryerjen e veprave me qëllime terroriste” si dhe “Pjesëmarrëse në organizatë terroriste”.
Bekim Protopapa, Ergys Faslija, Xhezair Fishti dhe Medat Hasani u arrestuan në 2016-ën bashkë me disa shtetas kosovar si të dyshuar se kishin kontakte me terroristë të ISIS në vitin 2015 si Lavdrim Muhaxheri apo edhe të tjerë xhihadistë dhe radikal nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria.
Ata u akuzuan se po planifikonin sulm me eksploziv në stadiumin “Loro Boriçi” gjatë ndeshjes Shqipëri-Izrael.
Pas një viti të vuajtjes së dënimit ish-prokurori i çështjes, Eugen Beçi, kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë për të ndaluarit si pasojë e mungesës së provave nga arrest në burg në arrest shtëpie, kërkesë kjo e miratuar nga gjykata. Pas dy viteve në arrest shtëpie tashmë organi i akuzës pushoi çështjen pasi akuzat nuk mundën të vërtetoheshin, madje rezultuan të pavërteta.